Gjithçka gati për takimin e dy qeverive

27.11.2017 14:10:56
Në Korçë sot do të mbajnë mbledhje të përbashkët dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe Shqipërisë.

Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për takimin që nis në orën 16:00.

Kjo mbledhje që është e katërta me rradhë pos Korçës do t`i zhvillojë punimet edhe në Vlorë ku nesër më 28 nëntor do të nënshkruhen 12 marrëveshje bashkëpunimi.

Ministrat e kabinetit Rama dhe Haradinaj do të firmosin një memorandum bashkëpunimi mes ministrive të mjedisit për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, një tjetër memorandum për bashkëpunimin në fushën e kulturës, marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunimin për diasporën dhe një protokoll teknik mes dy ministrive të bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare për produktet shtazore mes dy vendeve, njofton TCH.

Gjithashtu do të nënshkruhen një memorandum mirëkuptimi mes agjencisë AIDA dhe homologes kosovare KIESA, për nxitjen e investimeve, një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë elektrike mes dy ministrive të energjetikës, marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të jashtme në kuadër të integrimit europian.

Në Vlorë, dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të marrin pjesë edhe në festimet e 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.