Gjykata speciale, fushata për zhbërjen e rasteve të vrasjeve politike, rrëzimi i Qeverisë, dhe armiqtë e Kosovës

14.01.2018 16:26:08

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë javës që po vjen është paralajmëruar mundësia që të shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale, edhe pse realisht një mundësi e tillë është pak e mundur, pasi që kjo Gjykatë është kategori kushtetuese, pra është pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

Për shfruqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, prandaj kërkohet së pari ndryshimi Kushtetutës së Kosovës, e që në të dy rastet kërkon 2/3 e votave të 120 kuvendarëve të Kuvendit të Kosovës, dhe 2/3 e votave të pakicave, e që është vështirë e mundur që të realizohet.

Në fakt, një sfidën e këtillë është e mirë për faktin se në këtë mënyrë do të shihen realisht zhvillimet brenda partive, sidomos ato në VV dhe në PDK, dhe qasja e serbëve ndaj këtyre angazhimeve. VV e përfshirë në disa debate të brendshme, edhe pse ka qenë vazhdimisht e prerë kundër Gjykatës speciale, megjithatë për dallim nga nisma aktuale, ajo kërkon së pari ndryshim të Kushtetutës, e pastaj shfuqizimin e Ligjit, kurse në anën tjetër, PDK, përaktësisht kryetari i saj, Kadri Veseli po luan lojë të dyfishtë duke u deklaruar për mosshfuqizim të Gjykatës speciale, ndërkohë që e quan të padrejtë dhe të dëmshme këtë Gjykatë. PDK si parti në masë të madhe ka nënshkruar nismën ligjore për Gjykatën Speciale, kurse Ramush Haradinaj ka deklaruar votën kundër kësaj Gjykate.

Në anën tjetër, do të shihet qëndrimi i kuvendarëve serbë dhe të atyre joshqiptarë, sepse janë 20 vota që do të përcaktojnë suksesin e një nisme të tillë. Votimi eventual i tyre pro kësaj nisme do të tregonte ashiqare se Serbia është kundër Gjykatës Speciale. Votimi kundër, do të duhej të nënkuptonte rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje.

Drama do të jetë brenda këtyre partive, përkatësisht për t’u testuar uniteti dhe konsistenca me qëndrimin anmerikan dhe të aleatëve tjerë strategjikë, përkatësisht a do të arrijnë drejtuesit e këtyre partive që të imponojnë qëndirmin pro apo kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Kadri Veseli, në një shkrim të mëparshëm dhe në një takim me amasadorin amerikan, Delawie, garantoi përkushtimin për miqësi me SHBA-të, si dhe për obligimet e Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare, dhe duket se qëllim ka vetëm faktorizimin e tij ndërkombëtar si lider i pakontestueshëm dhe që mund të shtyjë përpara proceset e vështira.

Krahas kësaj, medie afër Kadri Veselit kanë filluar një fushatë të dekonspirimit të dëshmitarëve, të plasimit të dëshmive dhe të varianeteve të dyshimta për vrasjet politike, e në të cilën fushatë janë të përfshirë edhe vegla kondomë brenda apo rreth LDK-së, të interesuar për zhbërjen e këtyre rasteve. Gjithë kjo po ndodh në sy të Prokurorisë, e cila do të duhej të ishte në dijeni, do të duhej të ishte ajo që do të kishte në dorë të ndalonte dekonspirimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe të tjerë që pritet të dalin, të përfshirë në vrasje politike, ndër ta edhe të strukur brenda apo rreth LDK-së.

Ndërkohë ka informacione sipas të cilave vrasës të mundshëm janë ekzekutuar për të mos lënë gjurmë krimi, kurse tashmë është e njohur edhe humbja e dëshmive në Dhomën e dëshmive, si dhe kanë qarkulluar informacione për humbjen e dosjes së Bekim kastratit dhe Besim Dajakut. Kur është fjala për rastin e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, duhet thënë se dy persona të dyshuar për vrasjen e tyre, Agron Sylejmani dhe Ruzhdi Shaqiri janë vrarë, dhe ajo që e bën edhe më interesant këtë, Ruzhdi Shaqiri është vrarë nga Gani Geci pas takimit që ky i fundit ka pasur me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin. Po ashtu, deri më tash dihet se edhe atentatorët ndaj Fetah Rudit janë aksidentuar për vdekje. Vëllau i Haki Imerit, Imeri, pas pajtimit me Hashim Thaçin, kishte deklaruar se ky i fundit i kishte thënë se vrasësit e Haki Imerit janë vrarë apo zhdukur.

Atëherë pse gjithë ky nxitim pikërisht në këtë kohë kur po diksutohet për Gjykatën Speciale, jo vetëm që nuk bëhet përpjekje për t’u mbrojtur dëshmitarët e mundshëm, por përkundrazi ata ekspozohen, madje me një shlirshmëri dhe guxim të pashembullt, japin dëshmi publike për vrasje të ndryshme politike? Pse gjithë ky nxitim për t’iu kumtuar opinionit versione të ndryshme për vrasjet, kur të tjerë vrasës të supozuar janë ekzekutuar pikërisht që të mos mund të kishin mundësi të rrëfenin për vrasjet që mund të kenë kryer?

Pse prokuroria me ose pa vullnetin e saj përfshihet në lejimin apo urdhërimin e njerëzve të ndryshëm, madje edhe me statusin e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale të Kosovës që të bëhen pjesë e skemave dhe angazhimeve për prishjen e rasteve të vrasjeve politike?

Deri në fillimin e arrestimeve të para, a do të digjen të gjithë dëshmitarët e mundshëm, a do të dekonspirohen infoprmacione dhe dëshmi sekrete mbi të cilat do të zhvilloheshin proceset gjyqësore? Po ashtu, a mos po synohet që me emisione të këtilla, me angazhime mediale për dekonspirimin e dëshmitarëve dhe të dëshmive të ndryshme, të krijohen versione të tjera nga ato që ka Prokurori Special i Gjykatës Speciale? Pra, a mos po synohen që të ballafaqohen dy lloj apo më shumë të vërtetash të ndryshme dhe të kundërta me njëra-tjetrën, edhe si trysni mbi dëshmitarë të mbrojtur nga Gjykata Speciale?

Këto dhe pyetje të këtilla janë shumë të rëndësishme edhe për faktin se jo të gjitha shtetet perëndimore kanë qenë apo janë që Gjykata Speciale të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Kosovës, pasi që ka pasur dhe ka nga to që kanë qenë dhe janë që kjo Gjykatë të funksionojë në bazë të Rezolutës 1244 dhe në varësi nga KS i OKB-së. Madje edhe para miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të Ligjit për Gjykatën Speciale, ka pasur ide që çështja të shkojë në KS të OKB-së dhe atje të miratohej një variant i paraqitur nga Rusia, ashtu edhe siç dokumenti i njohur si 6 Pikat e Ban Ki Munit, në fakt doli të ishte propozim nga Serbia.

Në një rast të tillë, do të dilte se sponzorizues realë të nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë disa shtete aleate të Serbisë dhe të Rusisë, e që edhe më parë mund të kenë qenë pro një Gjykate Speciale të miratuar në bazë të Rezolutës 1244 dhe nga KS i OKB-së.

Nisma aktuale për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, në fakt nuk e zhbën këtë Gjykatë, por i jep rrugë mundësisë që kjo Gjykatë të miratohet nga KS i OKB-së dhe në bazë të Rezolutës 1244, dhe në bazë të variantit rus.

Gjithsesi, tashmë Kadri Veseli, pasi ka djegur Ramush Haradinajn, dhe po i djeg edhe veglat kondomë brenda e rreth LDK-së, ka edhe variantin rezervë: rrëzimin e Qeverisë!