Gjykatat përmirësojnë menaxhimin e lëndëve

Gjykatat përmirësojnë menaxhimin e lëndëve

11.04.2017 09:37:32

Gjyqësori i Kosovës ka arritur progres në vitin 2016, duke përmirësuar efikasitetin e punës gjyqësore  me zvogëlimin  e numrit të lëndëve  të pazgjidhura  për më shumë  se 10%, përkundër një rritjeje prej më shumë se 37,000 të lëndëve të reja, të pranuara  gjatë vitit 2015.

Numri i tërësishëm i lëndëve është zvogëluar nga 440.627 që ishte në fillim të vitit 2016,në 399.031 në fund të vitit, e që është  numri  më i ulët që nga riorganizimi i gjykatave në fillim të vitit 2013.

Shkalla e gjithëmbarshme e pastrimit (proporcioni ndërmjet numrin të lëndëve të zgjidhura ndaj atyre të pranuara) ishte 110.1 %. Shkalla  e pastrimit për të gjitha gjykatat themelore ishte afër, ose më lartë se 100%.

Shkalla e pastrimit për Gjykatën Themelore të Prishtinës, që është Gjykata më e madhe në vend, ishte  104.5%.

“Përfitimet më të mëdha janë arritur përmes zvogëlimit të numrit të lëndëve të kundërvajtjeve, nga 210.983 lëndë në fillim të vitit, në 189.734 lëndë në fund të vitit, që do të thotë, zvogëlon numrin prej 21.249 lëndësh. Ndërsa, përmbarime nga 95.479 lëndë në fillim të vitit, në 74.505 lëndë në fund të vitit, një zvogëlim prej 20.974 lëndësh”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim më tej thuhet se përfitime të rëndësishme janë realizuar edhe në krimet e rënda ku numri i lëndëve është zvogëluar nga 5.593 lëndë në fillim të vitit, në 4.840 në fund të vitit, që paraqet shkallë pastrimit prej 132.5%.

Po ashtu raportohet se numri i lëndëve civile është ulur, nga 42.560, me shkallë pastrimit prej  113%.  Megjithatë, numri i veprave penale të lehta është rritur me 4.6% nga 38.549, në 40.329.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se KGJK-ja është e kënaqur me  këtë progres në drejtim të efikasitetit të përmirësuar në përpunimin  e lëndëve.

Krahas përmirësimit të llogaridhënies dhe transparencës, kjo është njëra nga  prioritetet më të  rëndësishme të gjyqësorit.

“Por, edhe pse ne jemi të kënaqur me përmirësimet në vitin 2016, mbetet akoma punë për t’u bërë.   Sistemi gjyqësor ka nevojë të vazhdojë përmirësimin e efikasitetit, ashtu që lëndët të procedohen më shpejtë dhe njëkohësisht të ruhet edhe cilësia. Gjykatat Themelore po zhvillojnë planet për përmirësimin e menaxhimit të lëndëve në gjykatat përkatëse, ashtu që të vijojë  progresi. Në vitin  2016,  ngarkesa  me  lëndë në Gjykatën  e Apelit  ka vijuar të rritet dhe ne po punojmë me kryetarin e Gjykatës dhe kolegët e tij që në vitin 2017,të ketë përmirësim të efikasitetit”, u shpreh Idrizi.