Hahn: Reforma është në interes të shqiptarëve, jo BE-së

08.09.2016 13:03:38

Në Bruksel është zhvilluar takimi i tetë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Vendi ynë është përfaqësuar në këtë takim  nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka patur takime me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, në fjalën e tij ka theksuar se, “qëllimi i reformës nuk është të afroheni më shumë me BE-në, por për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë”.

“Dhe kur BE kontribuon në këtë gjë nuk e bën vetëm për të afruar sa më shumë Shqipërinë me Unionin, por e bën në interes të shqiptarëve”, ka thënë Hahn.

Sipas tij, reforma në drejtësi ishte hapi i parë, ndërsa tani palët politike në Shqipëri duhet të përqendrohen tek implementimi i saj.

“Nëse keni një sistem të besueshëm drejtësie, atëherë mund të tërhiqni më shumë investitorë. Prandaj kjo reformë është e rëndësishme. Tani duhen bërë hapat e radhës”, ka thënë Hahn.