Hamilton: Nuk do të ndryshoja asgjë nga gara e Spanjës

15.05.2017 10:15:37

Lewis Hamilton u rikthye te fitorja në Formula 1, duke triumfuar në garën e Çmimt të Madh të Spanjës, gara e pestë e Botërorit.

Fitore që erdhi pas një dueli të fortë me Sebastian Vettel, ku dy pilotët për pak sa nuk u përplasën ndërmjet veti në mesin e garës. Por kjo situatë nuk e shqetëson aspak pilotin britanik të Mercedes, që shprehet se këto kontakte janë pjesë e lojës. “Garat i kanë këto momente delikate. Unë nuk do të ndryshoja asgjë nga gara e Spanjës, jam i kënaqur nga paraqitja”, tha Hamilton.

Duke bërë një analizë të garës së zhvilluar në Barcelonë, britaniku shprehet se ajo ka qenë e vështirë dhe se starti i keq mund ta kompromentonte atë. “Nuk u nisa mirë, ndërsa Vettel ishte jashtëzakonisht i shpejtë dhe nuk e arrija dot. Por skuadra bëri një punë të mirë, vendosëm të ndryshojmë strategji dhe kjo situatë na dha efekt në fund. Megjithatë, fitorja na jep shpresë për të ardhmen”, tha Hamilton, që vazhdon të jetë i dyti në renditjen e Botërorit, por me vetëm 6 pikë pas Vettel.