Haradinaj i shkruan Stoltenbergut: Përherë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s

04.04.2019 11:04:08

Me rastin e 70 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të NATO-s, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në letrën e Haradinajt thuhet se NATO, 20 vjet më parë mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushata gjenocidale të vrasjeve dhe terrorit.

“Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”,  ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Në shënim të 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të NATO-s, në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, i kam dërguar telegram Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg, me urimet më të mira. Njëzet vjet më parë, NATO mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushate gjenocidale të vrasjes dhe terrorit. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s. Tani, pas dy dekadave, si popull i lirë me orientim të natyrshëm dhe të palëkundur euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e aleancës së shteteve të NATO-s dhe të japim kontributin tonë të plotë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të sigurisë, lirisë dhe demokracisë. #WeAreNATO #NATO70