Haradinaj të mos merret më me vizat, liberalizimi vështirë të ndodh këtë vit

06.11.2019 00:18:06

Nuk i kanë mbetur edhe pak javë që edhe zyrtarisht ta përfundojë mandatin në krye të ekzekutivit, mirëpo Ramush Haradinaj po vazhdon tu jap shpresa qytetarëve të Kosovës që liberalizimi i vizave do të ndodh këtë vit.

Ai sërish ka deklaruar se gjasat janë reale që Kosova në dhjetor të hyjë në agjendën e Këshillit të Evropës dhe se vendimet veç e veç të shteteve anëtare mund t’i japin epilog pozitivë lëvizjes të lirë drejtë zonës Schengen për qytetarët e Kosovës.

Haradinaj pozicionin e Francës karshi liberalizimit të vizave për kosovarët nuk e sheh si kundërshtues, por që shpresat i ka tek shteti gjerman.

Mirëpo këto deklarata të kryeministrit në largim nuk po i shohin si reale njohës të integrimeve evropiane në vend. Madje ata kanë kërkuar që Haradinaj të mos merret më me liberalizimin e vizave.

Sipas tyre, përkundër deklaratave të Haradinajt, gjasat që qytetarët e Kosovës këtë vit të lëvizin lirshëm drejt shteteve të BE-së janë shumë të vogla.

Krejt kjo për faktin së nuk ka vullnet politik të shteteve anëtarë që ta shtyjnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Artan Murati, njohës i integrimeve evropiane, duke folur për lajmi.net ka thënë se kryeministri në ikje është mirë që të mos merret fare me çështjen e vizave, pas sipas tij, tashmë as nuk është në atë pozicion që diskutojë për këtë.

Sipas tij çështja e liberalizimit të vizave tashmë është në dorën e Këshillit të Ministrave dhe se gjasat që në dhjetor të hyjë në agjendë janë shumë të vogla. Kjo pasi, siç tha ai, nuk është vrejtur ndonjë sinajl nga shtetit finlandez as disponim prej shteteve tjera të BE-së për me përkrahë një gjë të tillë.

“Kryeministri në ikje Haradinaj është mirë që të mos merret më tutje me liberalizimin e vizave sepse tashmë nuk është as në pozicion që mundet me diskutua edhe as me pas informata e duhura. Së dyti Kosova e ka përfunduar çështjet që janë të hapura me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin Evropian, tash çështja është tek Këshilli i Ministrave edhe nëse duhet dikush ta inkuadrojë Kosovën në agjendë, ajo duhet të jetë këshilli i ministrave në këtë rast presidenca finlandeze. Mirëpo gjasat që me hy në agjendë janë shumë të vogla, sepse nuk është se kemi parë ndonjë sinajl nga shtetit finlandez as disponim prej shteteve tjera të BE-së për me përkrahë një gjë të tillë. Normalisht që do të ishte ideale nëse ndodh, por gjasat në praktikë duke parë se si funksionin BE-ja në këto raste janë shumë te vogla për më ndodh diçka e tillë, brenda këtij viti.

Ai po ashtu ka thënë se pozicioni i Francës karshi Kosovës sa i përket çështjes së vizave tashmë është i njohur, dhe frika e këtij shteti për një liberalizim potencial për Kosovën do të përkeqësonte më tepër këtë situatë.

“Pozicioni i Francës tashmë është i njohur. Franca është lodh prej emigrantëve, edhe frika e Francës për një liberalizim potencial për Kosovën do të përkeqësonte më tepër këtë situatë dhe normalisht që është negative për krejt procesin e liberalizimit edhe kjo veç e dëmton më shumë edhe procesin në rastin e Kosovës për një liberalizim potencial”, ka thënë Murati

Edhe Rreze Hoxha, nga Grupin për Studime Juridike dhe Politike thotë se gjasat që kosovarët të lëvizin lirshëm këtë vit janë shumë të vogla, kjo për shkak se sic thotë ajo mungon vullneti politik i shteteve anëtare.

“Meqenëse deri me tani ka munguar vullneti politik i shteteve anëtare të Këshillit te Ministrave, gjasat që kosovaret të udhëtojnë lirshëm ne zonën shengen brenda këtij viti janë shumë të vogla. Kjo ngase ne vazhdimësi është anashkaluar kjo teme dhe nuk është vendosur si pikë e rendit të ditës në Këshillin e Ministrave pikërisht për arsyen që mungon vullneti politik i shteteve anëtare”, ka thënë Hoxha.

Ajo po ashtu thotë se qëndrimi i presidentit francezë shpjegon qartë se ky shtet është kundër këtij procesi dhe zvogëlon gjasat që liberalizimi të ndodh ketë vit

“Pozicioni i Francës është tejet i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave. Qëndrimi i Presidentit të Francës shpjegon qartë që ky shtet është kundër këtij procesi dhe zvogëlon gjasat që liberalizimi të ndodh këtë vit”, ka thënë tutje Hoxha.

Kujtojmë se kryeministri në largim, Ramush Haradinaj që nga marrja e mandatit në krye të ekzekutivit kishte premtuar disa herë se liberalizimi i vizave do të ndodh, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani dhe nuk pritet të ndodh brenda këtij viti.