Haradinaj thotë se është duke e pritur përgjigjen për vizë nga SHBA-të

09.01.2018 13:44:03

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pret të marrë përgjigjen për t’i vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht për të marrë pjesë në Lutjet e mëngjesit.

Ai këto komente i bëri pas takimit me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Zyra ime ka aplikuar për vizë. Janë disa ngjarje rresht që kam qejf për të shkuar. Nuk kam marrë përgjigje. Është një ftesë dhe për lutjen e mëngjesit. Kur të ma japin, shkoj”, tha Haradinaj.

Ai ka theksuar se në takim kryetarin e Prishtinës, ka biseduar për ligjin për Prishtinën, Pallatin e Rinisë dhe gjendjen aktuale në arsim.

“E kemi në fokusim testin PISA, të të bërit biznes dhe 10-vjetorin e pavarësisë. Veçanërisht folëm për unazën e Prishtinës. Kemi një opsion si me ec përpara. Kemi rënë dakord që takimin e ardhshëm ta bëjmë dy qeveritë, ajo e komunës dhe ne. Asnjë pengesë s’do ta ketë qeveria që me qenë në shërbim të komunës dhe me i përkrah këto tema”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Shpend Ahmeti tha se kjo është hera e parë që një kryeministër viziton komunën e Prishtinës.

Ai ka sqaruar se kanë diskutuar dhe për disa projekte madhore, sikurse është unaza e qytetit të Prishtinës.

“U dakorduam të shohim mundësinë e financimin e këtij projekti.  Të punojmë rreth realizimin e një projekti të përbashkët për sallën koncertale në komunën e Prishtinën. Mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta”, ka thënë ai.