Hashim, a mos ta ka shkruar Vuçiqi fjalimin që mbajte para diplomatëve të huaj?

01.09.2018 14:28:41

Nga Rexhep Kastrati

Pas qëndrimit të prerë të minstrave të jashtëm të BE-së kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi ka thirr sërishmi diplomatët e huaj në Kosovë para të cilëve ua ka shprehur vendosmërinë e tij për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve me Serbinë, duke iu kundërvënë kështu edhe unifikimit gjithnjë e më të plotë të diplomacisë botërore kundër ndryshimit të kufijve.

Nuk dua të spekuloj, siç bëhet zakonisht te ne, bazuar edhe në rastin shumë jo të dinjitetshëm në Vjenë ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, e të them se ky i fundit ka urdhëruar Thaçin që t’i kundërvihet qëndrimit gjithnjë e më të qartë të BE-së dhe të shteteve të tjera kundër ndryshimit të kufijve, por gjithsesi thirrja kaq e shpejt e diplomatëve në takim, ku u shprehu qëndrimin e qartë pro ndryshimit të kufijve, është një gabim shumë i rëndë që nuk mund dhe nuk ka konsensusin e qytetarëve të Kosovës.

Mirëpo, ajo që bie në sy në këtë fjalim të Hashim Thaçit, është fakti se ai flet për marrëveshje finale me Serbinë, e jo edhe për një tjetër marrëveshje kalimtare me të. Është e qartë se me “marrëveshje kalimtare”, Hashim Thaçi quan Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, sepse nuk ka tjetër marrëveshje kalimtare me Serbinë, ngaqë edhe marrëveshjet në Bruksel nuk janë kalimtare, as të përkohshme. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se Hashim Thaçi flet për një gjendje pezull, e që do të thotë se për të statusi i Kosovës është ende pezull. Është e tepërt të thuhet se është Serbia dhe aleatët e saj që ende equajnë të pazgjidhur statusin e Kosovës, pra pezull, e që e thënë nga goja e hashim Thaçit duket se edhe për linjën e Tiranës/Kretës, statusi është pezull dhe duhet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për këtë. Dhe marrëveshja perfundimtare nënkupton ndarjen e Kosovës, pavarësisht se si do të quhet: shkëmbim territorial apo korrigjim të kufijve. Me këtë po del se shpallja e pavarësisë së Kosovës, ashtu siç kam thënë vite më parë, një statusizim dhe legjitimim të Hashim Thaçit për të negociuar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, përaktësisht për ndarjen e saj, sepse një autoritet nën UNMIK-un nuk do të kishte të drejtë të diskutonte për territorin e Kosovës.

Një çështje tjetër që duhet theksuar në fjalimin e Hashim Thaçit, është fakti se ai rikthen dhe riaktulizon një marrëbveshje historike shqiptaro-serbe, për të cilën më 2011 pat folur Boris Tadiq, sipas të cilës aty ka janë shumicë serbë të bashkohen me Serbinë, e ku janë shumicë shqiptarët, të bashkohen me shtetin aktual. Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi edhe një herë po hedh dritë mbi takimin të ashtuquajtur të rastësishëm ndërmjet tij dhe Boris Tadiqit pak para shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, por edhe faktin se ai, nga pozita e kryetarit të Kosovës, është duke punuar në realizimin e pjesës së Memorandumit të dytë, të hartuar, më 2011, nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, në krye me Dobrica Qosiqin dhe babain e Boris Tadiqit, Lubomir Tadiqin.

Hashim Thaçi ka siguruar diplomatët se karakeri multietnik e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e pakicave, dhe as i Kishës Ortodokse Serbe nuk do të cenohen edhe pas ndarjes së Kosovës, e që do të thotë se ai angazhohet që përveç ndarjes së Kosovës, do të themelohet Asociaiconi me kompetenca ekzekutive. Kjo i bie që Serbisë t’i jepet veriu, kurse serbët në pjesë të tjera të Kosovës të kenë autonomi politiko-territoriale. Hashim Thaçi, ndërkaq, nuk thotë se çfarë kuptimi do të kishte të qëndronte shteti i Kosovës, pasi do të ndahej ajo, pasi të do të ndryshonte kushtetuta e saj, do të zhvlerësoheshin parimet e Badinterit dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën që kufijtë e njësive federale të ish-Jugosllavisë të shndërruar në shtete të pavarura, të konsderohen kufij ndërshtetërorë dhe të pandryshueshëm?

Një çështje që gjithsesi ka rëndësi e që Hashim Thaçi e përmend në fjalimin e tij drejtuar diplomatëve të huaj, ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në organiuzata ndërkombëtare, që sipas tij, do të mundësohej pas një marrëveshje historike me Serbinë, e më të cilën do t’i jepej veriu i Kosovës. Është e qartë se ndarja e Kosovës është në platformën serbe që e ka deklaruar para e pas luftës në Kosovë, por Hashim Thaçi është vetë dëshmitar se Serbia nuk respekton marrëveshjet. Hashim Thaçi e di se në marrëveshjen e 19 prillit 2013, është e shkruar e zeza në të bardhë se asnjëra nga palët nuk duhet ta pengojë tjetrën në përpjekjt për anëtarësim në organizata të ndryshme, por Serbia ka bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë, e kulmi ka qenë me pengimin në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Sipas Hashim Thaçit, Serbisë po u dashka t’i jepet territor i Kosovës për të mos penguar anëtarësimin e saj në organizma ndërkombëtarë.

Dhe ajo që kompleton karakterin skandaloz të fjalimit të Hashim Thaçit, është fakti se ky fjalim është i shoqëruar me kërcënime me destabilizim nëse nuk do të ketë, siç thotë ai, korrigjim të kufijve. Jo në një rast, Hashim Thaçi ka folur për destabilizim, e para pak ditësh ehde për luftë, duke bërë të qartë se po nuk u ndryshuan kufijtë, do të ketë luftë, e që është edhe përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve, edhe për të frikësuar të gjithë ata që janë kundër.

Përfundimisht, Hashim Thaçi para diplomatëve të huaj ka folur nga pozita e presidentit të Kosovës, si të ishte president i Serbisë, pra ka mbajtur një fjalim sikur ta ketë shkruar Aleskandër Vuçiq.