Hashim Thaçi po sillet si guvernator i një province të Serbisë, e jo si president i një shteti të pavarur

09.08.2018 14:20:54

Nga Rexhep Kastrati

Më në fund, Hashim Thaçi hoqi të gjitha dyshimet që mund t’i kishin edhe më të painformuarit dhe idhtarët e tij më të flaktë: ai edhe zyrtarisht do të shtrojë në Bruksel kërkesën për bashkimin e asaj që ai e quan Lugina e Preshevës me Kosovën, duke dëshmuar kështu përfundimisht se misioni i tij ka qenë dhe ka mbetur ndryshimi i kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve.

Edhe pse në pjesën më të madhe të publicisitikës sime që nga viti 1998 e këndej e kam theksuar vazhdimisht, e kam argumentuar dhe e kam shtjelluar deri në detaje karkaterin kundërkombëtar të linjës së Tiranës/Kretës, por edhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste, si dhe misionin e tyre për të realizuar interesa serbe në Kosovë, dhe interesa sllavoortodokse në rajon , megjithatë këto dy linja kishin ndërtuar një sistem politik dhe medietik që duhej të zbuste reagimet politike e medietike, duhej të pamundësonte fuqizimin e kundërshtarëve të tyre, përkatësisht kundërshtarëve të ricopëtimit të territoreve shqiptare, të ndihmuar edhe nga vegla kondomë, produkte medietike nga korpusi medetik kundër LDK dhe nga të ashtuquajtur përfaqësues të shoqërisë civile.

Në këtë kontekst, Hashim Thaçi, linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavkomuniste nuk e patën problem që të vazhdojnë që nga kohë e luftës e deri më sot procesin  e ndarjes etnike të Kosovës, si hap për të ndryshuar kufijtë në rajon në dëm të shqiptarëve.

Prandaj, tashmë nuk e ka problem fare edhe të dalë me propozim për bashkimin e të ashtuquajturës Luginë e Preshevës me Kosovën, e që është një formë e kamufluar e të ashtuquajturit shkëmbim territoresh, e më tej një formë e rihapjes së çështjes së kufijve nëdrmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Në aspektin kushtetues, Hashim Thaçi si president ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese, duke plotësuar kështu kushtet për shkarkimin e tij nga ky post, pasi që ai ka bërë betimin për të mbrojtur integritetin territorial dhe kushtetutën e Kosovës.

Shlirshmëria me të cilën ai del me propozime të tilla, e që njëqind përqind është në përputhje me strategjinë dhe skenarët e Serbisë, Hashim Thaçin e bën më shumë një guvernator të një province të Serbisë, sesa president të Republikës së Kosovës. Paralelizmat që bën me Nagorni Karabahun vetëm sa e përforcojnë këtë.

Në rrethana normale, sikur në Kosovë të kishte një klasë politike solide, Kuvendi i Kosovës do të duhej të mbante seancë urgjente për të shkarkuar Hashim Thaçin nga posti që mban për shkelje tl kushtetutës dhe për cenim të integritetit territorial të Kosovës. Madje nisma e këtillë do të duhej të vinte nga vetë PDK-ja, nëse nuk do të bartë edhe ajo përgjegjësinë për ricopëtim të territoreve shqiptare.

Mirëpo, jo që nuk po duket se ka shenja se do të kërkohet shkarkimi i Hashim Thaçit, por po dëshmohet edhe një herë se mbarapa kërkesave të sektës okulte të Albinit për gjoja bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar me referndum, ka qëndruar vetë Hashim Thaçi dhe në përgjithësi PDK-ja, duke e paraqitur këtë sektë vetëm një satelit të tyre.

Madje edhe Hashim Thaçi e përmendi referendumin si mënyrë për të realizuar planin e Serbisë për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, e që është plan i dalë nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, si i ashtuquajtur Memorandumi i dytë, më 2011, vit kur Boris Tadiq ishte shprehur pro njo marrëveshjeje historike shqiptaro-serbe, sipas parimit që aty ku janë shumicë serbët, të bashkohen me Serbinë, e aty ku janë shumicë shqiptarët, të bashkohen me shtetin shqiptar.

Duke qenë në një linjë me Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiq rikonfirmoi qëndrimin e mësipërm të Boris Tadiqit, me çka po dlshmohet edhe një herë se Hashim Thaçi është duke realizuar në emër të Kosovës platformën serbe për ricopëtim të territoreve shqiptare, por edhe për të rihapur çështjen e kufijve në rajon, e në të cilin proces, Serbia do të dilte më fituese, pasi që automatikisht do të merrte Republika Srpskën në Bosnjë, pjesë kufitare të Maqedonisë, me pretendime për të marrë edhe territore në Republikën e Kroacisë.

Në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, Hashim Thaçi ia vë si barrë Kosovës përgjegjësinë për shkeljen e paraimeve ndrëkombëtare të Badinterit dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën që ndalojnë ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Kurse nga vetë i ashtuquajturi shkëmbim territoresh, në aspektin praktik dhe territorial, Kosova dhe shqiptarët do të ishin humbësit më të mëdhenj, pasi që Serbia do të merrte veriun, dhe do të impononte një “Republika Srpska” për komunat tjera me shumicë serbe, kurse do të jepte vetëm Preshevën dhe me mundësi të pakta edhe Bujanovcin, e në asnjë mënyrë edhe Medvegjën.

Kështu, Serbia do të merrte “Trepçën”, Ujmanin, pasuritë tjera minerare që gjenden në veri, dhe do të mante Medvegjën, ku është një nga pasuritë më të mëdha minerare, përkatësisht rezerva të mëdha të arit, litiumit, zinkut etj.

Me fjalë të tjera, Serbia do të merrte pasuri marramendëse nga tokat shqiptare, kurse do të lëshonte disa fshatra dhe disa male e shkëmbij koti ku nuk mund të kulloten as bagëtitë, përpos dhive.

Në aspektin njerëzor, vendbanime të ndryshme shqiptare do të vazhdonin të mbetnin nën Serbi, kurse shqiptartë ose do të detyroheshin të shpërnguleshin, ose t’i nënshtroheshin një sistemi diskriminues deri në atë asimilues të tyre.