Haziri për Rugovën: Ai në jetën e tij të shkurtër i pajtoi dy herë shqiptarët

21.01.2017 19:02:32

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lutfi Haziri vlerëson se Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci.

Siç thekson ai, Rugova arriti që në jetën e tij të shkurtër të pajtojë dy herë shqiptarët dhe falë këtij pajtimi,thotë se ia arritën qëllimin të tyre final.

Sipas Hazirit, Rugovën më së paku e kanë dashur funksionarët./Lajmi.net/

 

Postimi i plotë i Lutfi Hazirit:

Ibrahim Rugova i pajtoi dy herë shqiptarët në momentet vendimtare për të ardhmen e Kosovës

Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot, në Akademinë përkujtimore në Gjilan, në shënim të 11-vjetorit të ndarjes nga jeta, ne kemi nderë të madh që marrin pjesë edhe trashëgimtarët e presidentit, Mendimi, Uka dhe Teuta. Ne nuk jemi ndarë asnjëherë nga vepra, qëllimet dhe kërkesat e tij, asnjë ditë, asnjë minutë.

Duke qenë lider politik, ai arriti që në jetën e tij të shkurtër të pajtoj dy herë shqiptarët dhe falë këtij pajtimi, ne arritëm qëllimin tonë final. E para, ishte lëvija e tij politike LDK, që është lidhja e dytë më e madhe pas Lidhjes së Prizrenit, e cila i pajtoi dhe i fali shqiptarët pavarësisht çfarë statusi kanë pasur gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ai, i rreshtoi të gjithë bashkë në një ushtri të paqes dhe solidaritetit, drejtë qëllimeve që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe të pavarur.

E dyta, në kohën kur strukturat e LDK-së, përkundër pjesëmarrjes në struktura ushtarake dhe në luftën çlirimtare direkt, u gjendën në një atak dhe një kërcënim për shpërbërje për shkak të ideologjisë dhe angazhimeve që kishin në vitet 90-ta. Dhe, ishte ai që i pajtoi sërish gjatë dhe pas luftës çlirimtare, jo duke u tërhequr, por duke ecur përpara ngadal dhe i qetë. Këto dy pajtime të mëdha janë themelet e lirisë së Kosovës që nuk mund t’i shemb askush”, ka nënvizuar Haziri.

Rugovën më së paku e kanë dashur funksionarët

Sot njerëzit betohen se kanë qenë shumë afër tij, lojal dhe i kanë qëndruar besnik, por për të gjallë të Rugovës, nën lidershipin e tij, vetëm një kategori e kanë dashur Ibrahim Rugovën: populli shqiptar i Kosovës. Më së paku e kanë dashur funksionarët.

Ky përvjetor kërkon që amaneti i tij për LDK-në e fortë tolerante, europiane dhe për LDK-në e para në Kosova, të bëhet realitet. Ky përvjetor kërkon që 10 vjet pasi LDK ka dalë prej renditjes së parë, të punojmë shumë që ta kthejmë të parën, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e garantuar. Ne i kemi mbetur borxh që të vazhdojmë rrugën e tij, që ta kemi një shtet të fortë, paqësor dhe që shqiptarët të jetojmë bashkë dhe me mirëqenie sociale.

Shpirti i tij bënë dritë në Republikën e Kosovës. Lut Emrush Haziri