Herdi Prenga: Grup cilësor, kjo Shqipëri shkon në Europian

20.03.2018 22:29:51

“Janë emocione shumë të mëdha për mua. Kam punuar shumë për këtë ftesë. Do të jap maksimumin për Kombëtaren e Shqipërisë siç edhe kam dhënë për Shpresat, kur kam luajtur”.

Këto janë fjalët e para të Herdi Prengës, qendërmbrojtësit të Inter Zapresiçit, që nga U-21 e Shqipërisë u katapultua në Kombëtaren A, pasi bindi trajnerin Panucci me formën e tij.

Mendoni se keni mundësi për për të luajtur në miqësoren me Norvegjinë?

Do të punoj shumë në stërvitje, trajnerit i takon të vendosë nëse do të ma japë shansin. Është një gjë shumë e madhe dhe jam shumë krenar që jam me çunat. Janë futbollsitë të mirë që luajnë në kampionate të forta. Nuk është gjë e vogël të luash më Kombëtaren e Shqipërisë. Besoj se nuk do të kem probleme.

Si e shihni konkurrencën në ekip?

Konkurrenca është e madhe, janë lojtarë të mirë që luajnë në kampionate të forta, por edhe unë jam në formë shumë të mirë. S’kam folur shumë me Panuccin.

Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë?

Ekipi ka shumë lojtarë të rinj, që kanë luajtur edhe me Shpresën. Mendoj se ka cilësi të lartë për t’u kualifikuar në Europianin e ardhshëm. E pamë Shqipërinë edhe në Europian, u paraqitëm mirë. Me pak fat edhe mund të kishim kaluar grupin.

A u menduat gjatë kur erdhi ftesa?

Jam shqiptar, ndihem shqiptar. S’kam pasur probleme, zgjodha Shqipërinë dhe nuk kam pasur dyshimin më të vogël.