Historia e intrigave dhe e përbaltjeve ndaj Bekim Kastratit, apo vrasja e tij morale dhe profesionale para vrasjes fizike

04.03.2017 11:40:49

Tashmë kur jemi në prag të manifestimit në nderim dhe kujtim të sakrificës së jasharëve, duhet të kujtojmë se 16 vjet më parë, dhe pikërisht në kontekst të këtij manifestimi, u shpërfaq hapur historia e intrigave dhe e përbaltjeve ndaj Bekim Kastratit që nuk përfundoi derisa u vra fizikisht. Kush ishin intrigantët?

Nga Rexhep Kastrati

Bekim Kastrati kishte ardhë nga Skënderaj në Prishtinë, në redaksinë e ‘Botës sot” për të pyetur se a do të duhej ta përcillte për gazetë manifesyimin  tradicional në nderim të sakrificës së familjes së Adem Jasharit. Ishte viti i tretë nga sakrifica e kësaj familjeje.

Parë nga konteksti i sotëm, të pyesësh se a do të përcillet për gazetë manifestimi për sakrificën e jasharëve mund të konsiderohet si e pabesueshme dhe e pavend, por 16 vjet më parë, një pyetje e tillë kishte ardhë në rend për shkak të paqartësive dhe hutive që shkaktonin stafi drejtues i redaksisë në Prishtinë në krye me Sylejman Aliun dhe Bajrush Morinën.

Përgjigjia ime natyrisht se ishte pozitive, sepse nuk mund të imagjinoja të mos përcillej një manifestim i tillë. Pas kësaj, i thëshë Fatos Zogajt, djalit të Skënder Zogajt, e që ishte fotoreporter në “Bota sot” që të nesërmen të shkonte në Skënderaj dhe bashkë me Bekimin të shkonin në Prekaz dhe ta përcillnin manifestimin. Fatosi si pa të keq kundërshtoi me arsyetimin se kishte ditë pushimi.

Bashkë me Bekimin shkuam në desk dhe mora njërin nga tre aparatet për fotografim dhe ia dhashë që të nesërmen të bënte edhe ndonjë fotografi nga manifestimi. Në atë moment ndërhyri Sylejman Aliu, i cili tha se nuk ka nevojë ta marrë aparatin Bekimi pasi që do të shkonte Fatosi. I tregova se Fatosi kishte refuzuar, por Sylejman Aliu tha se do të shkonte Fatosi me patjetër.

Megjithatë, Bekimit i thashë që ta merrte aparatin dhe nëse vjen Fatosi, mirë, nëse nuk vjen, të bënte fotografi ai. Isha i bindur se synohej të sabotohej Bekimi dhe të konsiderohej fajtor për dështimin.

2

Të nesërmen ishte manifestimi për ndër të sakrificës së familjes jashari, kur edhe doli ashtu siç mendoja: Fatosi nuk kishte shkuar fare. Gjatë tërë ditës isha në pritje të një raporti nga manifestimi bashkë me fotot, por ende asgjë. Nisa të shqetësohesha, sepse gati ishte të mbyllej gazeta për edicionin e Perëndimit dhe nuk kishte asgjë. Pak para orës 17, kohë kur përfundoja orarin e punës, më thirri recepcionistja se kishte Bekimin në lidhje telefonike.

Bekim Kastrati kërkoi falje që nuk kishte mundur të vinte pasi që ishin bllokuar në rrugë dhe mezi ishin kthyer në Skënderaj. Pyeti se a mund ta bënte një lajm për manifestimin, e nesër ta bënte një tabloid, pra një fotoreportazh. I thashë t’ia diktonte lajmin daktilografes nëpërmjet telefonit dhe vazhdova për në banesë.

3

Se çka kishte ndodhur pasi kisha përfunduar bisedën me Bekimin, mora vesh të nesërmen kur shkova në lokalet e “Botës sot””, rreth orës 10. U habita kur pashë Bekimin, i cili dukej shumë i nervozuar. E pyeta se përse kishte ardhur, ai ma ktheu: Dikush këtu po lyp q… nanën. – Pse? – e pyeta.  Sylejman Aliu kishte marrë kufjen e telefonit fill pas meje dhe nuk kishtë lënë gjë pa i thënë Bekimit. E kishte quajtur hajn, tradhtar, udbash e gjithçka tjetër. Kur dëgjova këto, shkova te Sylejman Aliu në zyrë, e pas meje erdhi edhe Bekimi.  Sylajman Aliu i përsëriti ato që ia kishte thënë Bekim Kastratit. Unë i thashë se aparatin i kisha dhënë unë në prani të të tjerëve, kurse për shpifjet të mbante gojën. Mirëpo, ai vazhdoi me të tijën, duke thënë se “kemi dosje”. Ky ishte kulmi, dhe fillimi i një historie të trishtë që do të përfundonte me vrasjen e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut.