I nxehti afrikan do të mbretërojë edhe në dy ditët e ardhshme, temperatura deri në 34 gradë

23.07.2020 17:27:58

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të ardhshme në vend do të mbajë mot me diell dhe me temperatura të larta.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se të premten dhe të shtunën masat e nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika e Veriut të ardhura mbi vendin tonë, do të mbesin të qëndrueshme, por duke u dobësuar.

Ky dobësim i këtyre masave parashihet të vij ditën e shtune, pasi që do të ketë luhatje në fushat barike duke bërë që gjendja në troposferë të ndryshoj përkohësisht.

IHMK-ja bën të ditur se do të ketë vranësira jostabile të cilat parashihen të sjellin reshje shiu, shkruan lajmi.net.

Derisa dita e premte premton më pak reshje, dita e shtunë parashihet të ketë më shumë reshje, duke përfshirë pjesën më të madhe të territorit dhe vende-vende do të ketë edhe zbrazje elektrike.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-34 gradë Celsius Indeksi UV mbetet në sinjalin e kuq që nënkupton përkujdesje nga rrezet direkt të diellit (zbato këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që nga ora 9-17 sa më pak në kontakt me rrezet e diellit, ose të përdorim masa mbrojtëse).

Do të fryjë erë nga verilindja dhe juglindja me shpejtësi 1-9 m/s.