ICC/ Interi mposht Lyonin, shkëlqen argjentinasi Lautaro Martinez

05.08.2018 01:30:54

Interi mposht Lyonin nën shenjën e Lautaro Martinez. Numri 10 i zikaltërve realizoi golin e vetëm në sfidën e vlefshme për International Champions Cup të zhilluar në Lecce, aty ku Interi kishte mbështetjen e rreth 20 mijë tifozëve.

Në pjesën e parë francezët ishin më të freskët dhe shpëtimtari i Interit ishte Handanovic që ndali disa tentativa të Mariano Diaz me shokë, megjithatë në fillimin e pjesës së dytë skuadra e Spallettit e rriti ritmin dhe gjeti golin e avantazhit me Lautaro Martinez në minutën e 52-të pas asistit të Dalbert dhe lëvizjes së zgjuar të Politanos.

Talenti argjentinas i cili pas disa ditësh do të mbushë 21-vjeç është futur shumë shpejt në mekanizmat e skuadrës zikaltër dhe ngjan si një veteran në lojën e zikaltërve.

Pavarësisht mungesave të rëndësishme si Miranda, Nainggolan, Brozovic, Vrsalkjo e Perisic, skuadra e Spallettit bëri një paraqitje të mirë ndaj Lyonit në Lecce duke marrë fitoren e parë në turneun pretigjoz International Champions Cup dhe duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve. Ndeshjen e fundit Interi do ta ketë pas një jave ndaj Atleticos së Madridit.