Idilë pranvere parapa grilave? Poezi nga Shukrije Gashi

20.07.2020 18:21:56

 

(Mars 1984)

Jashtë kafazit tim nuhas një ditë e re
erdhi përmes grlilave
nga një dritare gjysëm e hapur n’ fund të koridorit
aromë bari të njomë më shijon fantazia
Ah dritarja ime është e vogël
me vështirësi merr frymë dita brenda saj
me gjasë paska ardhë pranvera
Për një qast më rrëmbeu deliri i jetës
jashtë
u mvesha me pikëllim për kohën
e ikur dje
A thua si mund të dukej dita me diell
tutje grilave
Mall shtëpie më zuri si kurrë më parë
nga etja mu tha fyti
pashë vetën fëmi
një çupë me kaçurrela të verdha
plot naze rebele
Sahere që mbante kohë me diell
ulesha para dyerëve të shtëpisë
futesha në kornizat e dritareve
që babai i nxirrte për shitje mbështetur
në murin e jashtëm të shtëpisë
Ohhhha më doli ofshamë e gjatë
Teksa po kujtoja rrugicën me kalldërm
e nën derën e hekurtë të burgut
pikasa me pahir hijen e këmbëve të dikujt
që përgjonte para dhomës time frymëmarrjen
e të burgosurëve
Nga deliri më shkëputi britma e hijes
“Nuk du me ni asnjë za!”
anipse askush nuk fliste
sërish u mbulova me heshtje burgu ftohtë
çupëza me kaçurrela iku bashkë me vegimet
si një lule pambuku që e bartë era me lehtësi
ndërsa dielli vazhdoi të zgërdhihet me dëshirat e mia
për pak pranverë
as nuk e pashë pranverën as barin e njomë
Madje askush foli me mua veç takeve të këpucëve
që Fevizija gradianja e sertë
u mëshonte fortë këmbëve korridorit
për të tremburë qetësinë në dhomat
e harrimit ku ne vegjetonim ditën në kotësi
duke përsëritur me të njëjtin avaz
britmat e saja shurdhuese
“Nuk du me ni asnjë za!”
anipse as muret flisnin me ne
idile vegimesh anemnonë
jeta bjerrte ditën në botën
e harruar nga dielli jashtë
dhe ata që hanin jetën tonë
në këmbim karremi për kolltuqet
dhe diellin vetëm për sojin e tyre…