IHMK: Tahirsylaj nuk është kompetent të japë parashikime për motin

07.01.2017 16:20:56

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar ndajë deklaratave të ish drejtorit të këtij Instituti, Sylë Tahirsylaj, i cili në cilësinë e ekspertit të fushës ka kërkuar nga Institucionet e vendit, që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme nga dita e hënë dhe të mbyllën shkollat për një javë në mënyrë që fëmijët të mos i ekspozohen rreziqeve të ngricave dhe të ftohtit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) e ka quajtur jokompetent Tahirsylajn për të dhënë vlerësime, duke potencuar se “IHMK posedon rregulloren me të cilën ia ndalon të gjithë personave jashtëinstitucional që të merren apo të informojnë popullatën me informata rrethë motit”.

Komunikata e plotë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës:

“IHMK është duke e percjellur situatën meteorologjike në gjithë territorin e Kosovës. Jemi të gatshëm 24 orë që t’ju jemi afër me informata dhe ndryshimet e motit .Në informatën e djeshme lidhur me parashikimin e motit ju kemi informuar në detaje  për temperaturat dhe trasheshin e borës në pjesët e ndryshme të Republikës së Kosovës dhe vazhdojmë ta përcjellim situatën meteorologjike dhe tani. Temperaturat e ulëta gjithmonë merren ato të orëve të para të ditës. Kjo gjendje e tanishme  meteorologjike nuk është diçka që nuk ka ndodhur vite më parë, prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme që ne si IHMK të shpallim një gjendje të jashtëzakonshme apo emergjente siç pamë në disa portale që njerëzit jozyrtar  që në fakt nuk janë as pjesë e IHMK dalin e prononcohen me vlera të cilat nuk janë institucionale.

IHMK posedon rregulloren me të cilën ia ndalon të gjithë personave jashteinstitucional që të merren apo të informojnë popullatën me informata rrethë motit.

Do të vie dita që përpos individëve që japin informata rreth motit e aq ma keq edhe shpallin gjendje të jashtëzakonshme dhe bashke me ata edhe portalet që lansojnë informata jashteinstitucionale , të japin përgjegjësi para ligjit.

Ne si IHMK bëjmë parashikime dhe ju dërgojë gjitha medieve , kurse organet kompetente nese e shohin të arsyeshme shpallin gjendje të jashtezakonshme”, thuhet në komunikatë.