Institucionalizimi i tradhtisë dhe nevoja urgjente për refuzimin popullor të tradhtisë

14.08.2018 12:53:08

Nga Rexhep Kastrati

Tradhtia është institucionale, pas asaj politike dhe e tipit agjenturor, sepse ajo ka ndodhur dhe po ndodh në mënyrë institucionale.

Në fakt, u quajt tradhti Kuvendi i Prizrenit, i vitit 1945, por u quajt tradhti edhe Kuvendi i Kosovës, i vitit 1989, por tradhtia institucionale nga viti 1997 e këndej, është ndryshe, është tradhti në kontekste socio-politike dhe socio-historike krejt të ndryshme: derisa Kuvendi i Prizrenit, i vitit 1945 që vendosi që të shkelte Rezolutën e Bujanit të 31 dhejtorit 1943, përkatësisht të 1 dhe 2 janarit 1944, për bashkimin e shqiptarëve në territoret e tyre në ish-Jugosllavi, me shtetin shqiptar, dhe të deklaronte bashkimin e saj me Jugosllavinë, u mbajt në rrethana të gjendjes së luftës, kurse Kuvendi i Kosovës, i vitit 1989, që vendosi që t’i hiqeshej Kosovës statusi që kishte me kushtetutën e vititi 1974,  u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme, tradhtia e institucionalizuar më 1997 me takimin Nano – Milosheviq në Kretë, dhe që u pasua me shfaqjen e linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, ishte dhe vazhdon të jetë tradhti e bërë në emër të patriotrizmit, në emër të lirisë, në emër të luftës çlrimtare,dhe në një kontekst edhe të një shteti të pavarur.

Tradhtia nuk është institucionale vetëm pse ajo vjen nga institucione të shtetit të Kosovës, por edhe për faktin se ajo është platoformë, projekt dhe proces i nisur institucionalisht në emër të luftës çlrimtare, në emër të patriotizmit, kur në emër të tyre lejohej dhe realizohej gjakdredhja brendashqiptare, kurse shkaktarët e kësaj gjakderdhjeje, trajtoheshin atdhetarë, madje kulm i atdhetarisë.

Tradhtia kombëtare u bë e qartë me takimin e Hashim Thaçit me popin Artemije dhe me Momçilo Trajkoviqin, më 1999, u bë me takimet e vazhdueshme të Bajram Rexhepit me Oliver Ivanoviqin, por edhe me gjithë angazhimet politiko-artiake dhe institucionale të kryer nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste.

Planet për ndarjen e Kosovës, për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, apo edhe i ashtuquajturi shkëmbim i territoreve, janë të hershme dhe janë proklamuar nga Hashim Thaçi, nga Rexhep Qosja dhe të tjerë qysh gjatë masakrave gjenocidale serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

Edhe angazhimet sistematike të dhunshme, anarkiste, tribale dhe në kufijtë e terrorizmit të realizuara gjatë viteve 2015 – 2017, kanë qenë angazhime institucionale në funksion të tradhtisë kombëtare dhe shtetërore.

Si rezultat i gjithë këtyre angazhimeve institucionale të tradhtisë kombëtare, kemi një absolutizim të pushtetit nga linja e Tiranës/Kretës, e cila tashmë kontrollon me komoditet politikën, institucionet politike shtetërore dhe ato të ashtuquajtura të pavarura, e që rolin e opozitës e bën fare qesharak, duke marrë parasysh se kemi një opozitë të çoroditur, e cila del e deklaron si të sajat qëndrimet e lexuara nëpër faqe të ndryshme interneti, por pa dhënë asnjë platfromë të qartë se si do të pengojë tradhtinë kombëtare, se si do të pengojë qoftë ndarjen e Kosovës, qoftë krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, qoftë edhe të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, dhe kur edhe brenda saj ka mosunitet dhe mbështetje për opcione të tilla.

Prandaj, edhe Hashim Thaçi, edhe Kadri Veseli, i cili po qëndron në sfondin e angazhimeve opozitare, sikurse në legjislaturën e kaluar, qoftë edhe Ramush Haradinaj etj., janë tepër komodë, tepër të lirë, moskokëçarës dhe mospërfillës ndaj një opozite të bërë pikë e pesë, e cila nuk ka as unitet, as fuqi, por as vullnet real për të ndryshuar kursin politik dhe institucional në vend, dhe po e bën fare të lehtë qëndrueshmërinë e një qeverie me 52 kuvendarë, pra as me minimumin e nevojshëm – 61 kuvendarë, dhe Vulin nuk po jep urdhër ta rrëzojë këtë qeveri, ashtu siç jepte urdhër për të rrëzuar qeverinë “Mustafa”, e cila për dallim nga kjo, së paku në letra kishte rreth 90 kuvendarë, kurse në praktikë nuk kishte as shumicën e kuvendarëve të LDK-së, e cila drejtonte qeverinë.

Në këtë kontekst, është e qartë se vendi është i tradhtuar në mënyrë institucionale, kurse hipokrizia është më e theksuar sesa kurrë më parë, dhe sikurse në momente të tjera të rëndësishme historike, edhe kësaj radhe është populli ai që duhet të veprojë politikisht dhe të shfrytëzojë të gjitha format ligjore, demokratike dhe shoqërore që të vihet në ballë të kundërshtimit të tradhtisë institucionale dhe të hipokrizisë politike.

A do ta bëjë këtë ky popull?

Populli i Kosovës ka treguar se kur krijon besimin në vlerat që udhëheqin procesin e refuzimit të së keqes, di të organizohet, di të mobilizohet dhe di të reagojë dhe të veprojë i bashkuar dhe me racionalizëm!

E keqja është se ky popull ka humbur besimin te kjo klasë politike, e ka humbur besimin edhe te institucionet, përkatësisht te bartësit e institucioneve shtetërore, qofshin këto politike, qofshin të ashtuquajtura të pavarura, prandaj së pari duhet t’i rikthehet besimi në vlerat në të cilat do të bazohet procesi i refuizimit të tradhtisë kombëtare dhe shtetërore, përkatësisht duhet të rikthehet besimi te ata që do ta udhëheqin një proces të tillë!