“Institucionet pa vullnet për të arritur objektivat e përcaktuara nga MSA”

17.09.2016 12:14:30

Grupi për Studime Juridike dhe Politike kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë prezantuar raportin “Vlerësimi i punës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e obligimeve për zbatimit e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Albana Merja, hulumtuese e këtij grupi ka thënë se aftësia e Institucioneve për ta hartuar bazamentin ligjor mbetët e ulët.

“Kjo është reflektuar posaçërisht në dështimin e miratimit të ligjeve nga agjenda e paraparë legjislative”.

“Këtë 6 mujor janë miratuar më pak se gjysma e ligjeve të planifikuara”.

Ky grup në bazë të monitorimit që kanë bërë kanë thënë se “sikur asnjëherë më parë reflektojnë mungesën e vullnetit të institucioneve të Republikës së Kosovës për të arritur objektivat e parapërcaktuara nga MSA-ja”.

Raporti i këtij grupi përmban poashtu një vlerësim të detajuar të progresit dhe sfidave në përmbushjen e kushteve të Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA).

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), në tetor të vitit 2015, Qeveria e Kosovës mori përsipër një sërë obligimesh dhe detyrash në kuadër të kësaj marrëveshje. Në mënyrë që të arrihen të gjitha objektivat që rrjedhin nga MSA-ja, Qeveria e Kosovës miratoi Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA), duke obliguar të gjitha institucionet përgjegjëse për të kryer detyrat në zbatim të kësaj Marrëveshje.

Ky mbetet dokumenti kryesor nacional i politikave për aderimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, prandaj nevojitet angazhim maksimal nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces.