Inter nuk di të ndalet, vjen fitorja e 7-të radhazi kundër Pescara-s

28.01.2017 23:36:52

Inter ka regjistruar fitoren e shtatë radhazi në Seria A duke mundur Pescara-n me rezultatin e pastër 3:0 në “San Siro”. Ishte një ndeshje që nuk kishte shumë histori teksa miqtë u rreshtuan në mbrojtje që në minutën e parë në kërkim të një barazimi por vendasit zikatër të mbështetur nga tifozët e tyre arritën të gjejnë golin e parë dhe të dytë që në 45 minutat e para. Më pas ndeshja nuk kishte ndonjë gjë interesante, me golin e Eder që mbylli përfundimisht një ndeshje që nuk u diskutua në asnjë moment nga Inter. Me këtë fitore zikaltrit kalojnë në vend të katër të renditjes.

Që nga sekonda e parë ndeshja nisi në gjysmëfushën e miqve dhe aty u zhvillua shumica e takimit. Inter luajti me agresivitetin e duhur që në fillim por edhe njëherë shfaqi paqartësi para portës duke bërë që Pescara të ketë shpresa për një rezultat pozitiv. Ishte pikërisht ky mentaliteti i miqve të cilët pasi ishin ngjeshur në prapavijën e tyre për rreth 20 minuta, arrijnë të nisin një kundërsulm me një prej sulmuesve që godet nga distanca drejt portës së Handanovic, i cili me siguri nuk kishte përqendrimin e duhur pasi kishte kohë që nuk prekte top me këmbë (apo me dorë).

Portieri zikaltër nuk arriti ta kapë siç duhet topin duke e lënë të lirë brenda zonës me Benali qo e shtyn në rrjetë por arbitri anësor shpëton vendasit duke akorduar një pozicion jashtë loje. Padyshim që ai gol bërë që të bien këmbanat e alarmit në kampin zikaltër dhe vetëm një minutë më pas vjen goli i avantazhit. Pas një krosi të bukur të Brozovic brenda zonës ishte D’Ambrosio ai që ndoqi aksionin nga mbrojtja për t’u shfaqur në shtyllën e dytë e për ta dërguar topin në rrjetë.