Interi shkëlqen ndaj Lazios

21.12.2016 23:01:39

Interi i Stefano Piolit nis të funksionojë. Tashmë janë 3 fitoret radhazi të skuadrës zikaltër që në San Siro zhvilloi një pjesë të dytë me të vërtetë fantastike duke mposhtur 3-0 Lazion e Simone Inzaghit. Mauro Icardi, Ever Banega dhe Samir Handanovic ishin këta 3 futbollistët përcaktues për Interin në këtë ndeshje. Kapiteni realizoi një dygolësh, mesfushori argjentinas ishte ai që zhbllokoi shifrat ndërsa portieri slloven me disa pritje shpëtimtare ruajti të paprekur portën e Interit për të tretin takim rradhazi. Pjesa e parë në fakt nuk ishte shumë e mirë për Interin dhe u deshën disa ndërhyrje të Handanovic për ta mbajtur rezultatin në barazim 0-0. Megjithatë me rikthimin në fushë nga dhomat e zhveshjes skuadra e Piolit u tjetërsua duke e mbyllur Lazion në gjysmëfushën e saj. Në të 54-tën Banega shmangu me një lëvizje të bukur Milinkovic-Savic dhe me një predhë me të djathtën nga distanca nuk i dha asnjë shans Marchettit.

1-0 për Interin por zikaltërit nuk u mjaftuan me kaq. Vetëm pak sekonda më vonë, Icardi tregoi edhe njëherë tjetër se është një golashënues i lindur duke devijuar saktë me kokë një krosim të bukur të D’Ambrosios për ti cuar shifrat në 2-0. Për të hedhur knock-out skuadrën bardhekaltër mendoi sërish kapiteni argjentinas i Interit që në të 65-tën i asistuar nga Banega shënoi edhe golin e tretë të ndeshjes dhe të 14-tin në këtë sezon të Serisë A. Tashmë Maurito kryeson i vetëm listën e golashënuesve. Në të 82-tën fati nuk ishte me argjentinasin pasi traversa i mohoi golin e 3-t personal Icardit. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi më me Interin që falë këtij suksesi u ngjit në kuotën e 30 pikëve , vetëm 4 pikë pas Napolit të vendit të 3-të.