Intervistohen aktivistët e VV-së, forenzika përcakton se a do të ketë aktakuzë për terrorizëm

24.11.2016 15:31:17

Pesë anëtarët e “Vetëvendosjes” të dyshuar se përgatitën dhe ekzekutuan sulmin ndaj ndërtesës së Parlamentit të Kosovës janë intervistuar nga Prokurori i rastit Abdurrahim Islami.

Në një bisedë për Gazetën Express, Islami ka thënë se janë duke grumbulluar rezultatet e provave që i kanë dërguar për ekzaminim në laboratorë dhe pastaj do të vendoset se a do të ngrihet aktakuzë apo jo ndaj pesë të dyshuarve.

Pesë anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosjes” të dyshuar se përgatitën dhe ekzekutuan sulmin terrorist janë marrë në pyetje nga prokurori. Së shpejti pritet të bëhet e ditur se a do të ketë aktakuzë ndaj tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur  prokurori i rastit, Abdurrahim Islami. Ai ka thënë se rezultatet e forenzikës do të jenë ato të cilat do ta zbardhin këtë rast.

Islami shpjegoi se në momentin e ndalimit të tyre gjashtë të dyshuarit, përfshirë edhe tashmë të ndjerin Astrit Dehari, janë marrë në pyetje me vendim të prokurorit nga hetuesi i rastit, por që të njëjtit në kohën e arrestimin kanë preferuar që të mbrohen në heshtje.

“Personat e arrestuar në momentin e arrestimin janë marrë në pyetje nga hetuesit. Por unë kam pritë që të dalin provat dhe t’ua jap dhe një mundësi për intervistim. Së shpejti po besoj që do t’i marrim edhe rezultatet e forenzikës. Intervistimi për ta ka përfunduar”, ka thënë Islami.

E të pesë të arrestuarit deri më 15 nëntor asnjëherë nuk janë marrë në pyetje nga ana e prokurorit të shtetit, por vetëm nga ana e hetuesve.

“Në momentin kur janë arrestuar që të gjithë, sipas autorizimit i është dhënë mundësia të deklarohen. Asnjëri nga ta nuk pati pranuar të deklarohet. Asnjëri nga ta nuk është intervistuar nga ana e prokurorit por ne u kemi dhënë hetuesve autorizimin për intervistim. Që të gjashtit në atë kohë janë mbrojtur në heshtje”, ka deklaruar Islami.

Gjashtë anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje” ishin arrestuar 26 ditë pas sulmit me zollë mbi Kuvendin e Kosovës. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Astrit Dehari, i cili vdiq të shtunën e kaluar në rrethana ende të pasqaruara në paraburgim.

Sulmi me zollë kishte ndodhur në mbrëmjen e 2 gushtit në kohën kur në Parlament ishte paraparë të votohej demarkacioni. Zolla ishte hedhur në drejtim të ndërtesës së Kuvendit nga personi që ishte duke vozitur një motor, i cili më vonë ishte gjetur i djegur me benzinë, në periferi të Prishtinës.

Ndërkohë që gjyqtari Vehbi Kashtanjeva në muajin shtator të këtij viti gjashtë të dyshuarve u kishte caktuar atyre dy masa të ndryshme sigurie.

Tre të arrestuarve për sulmin në Kuvend u është caktuar paraburgimi, ndërsa tre të tjerëve arresti shtëpiak. Paraburgim për tre muaj kishte paraparë për Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe tashmë të ndjerin Astrit Deharin. Ndërsa arresti shtëpiak prej një muaji u është caktuar Frashër Krasniqit, Adea Batushës dhe Petrit Ademit.