Isa Mustafa: Presim që Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit ta kryejë punën pa ndikime

24.01.2017 12:26:49

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës është mbledhur sot për herë të parë.

Në fjalën e tij para anëtarëve të këtij Komisioni, kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se është e nevojshme që të ketë një përgjigje të saktë për territorin.

“Është nevojë që ne ta kemi një përgjigje të saktë për territorin, dhe kjo përgjigje e saktë do të jetë e dobishme për të gjithë”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.

Ai më pas ka ftuar anëtarët e komisionit që të ulen dhe të përcaktojnë mënyrën se si do të punojnë më tutje.

“E vlerësojmë shumë këtë përkushtim dhe punën e juaj, presim që punën ta kryeni pa ndikim dhe në mënyrë profesionale”, tha Mustafa.

Vlen të theksohet se pavarësisht ftesës së Qeverisë së Kosovës që pjesëmarrëse të jetë edhe opozita, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Opozita e ka bojkotuar mbledhjen ku prezent janë ekspertë të fushave të ndryshme për matjen e territorit.

Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës; Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore; Lëvizja Vetëvendosje!; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nisma për Kosovën; Dy ekspertë nga organizatat e shoqërisë civile; Agjencia e Kadastrës; Agjencia e Ujërave; Agjencia e Pyjeve; KOSTT-i; Agjencia Kosovare e Privatizimit; Policia e Kosovës; Agjencia e Statistikave të Kosovës; Komuna e Pejës; Komuna e Deçanit; Komuna e Burimit; Komuna e Junikut; Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së komunës së Pejë