Itali, përmbytet Venecia pas reshjeve të dendura

07.11.2017 17:44:18

Erërat e forta dhe shirat e rrëmbyeshme kanë shkaktuar rritjen e nivelit të detit duke e çuar deri në 127 cm mbi normalen në Venecia të Italisë. Sipas mediave italiane, Venecia është goditur në një nga përmbytjet më të mëdha këto 4 vitet e fundit.

Pothuaj të gjitha rrugët e këtij qytetit po notojnë nën ujë. Venecia, e cila u ndërtua mbi disa moçale në shekullin e pestë, kohë pas kohe vuan nga përmbytjet të tilla që shkaktohen nga baticat e mëdha.

Përmbytjet kanë ndodhur në kanalet ujore të cilat lidhin qytetin. Janë këto kanale që tërheqin turistët në Venecian e mrekullueshme, që tashmë po noton nën ujë.

Megjithatë, reshjet e forta të shiut këto ditët kanë shkaktuar përmbytje në pjesë të konsiderueshme të të gjithë territorit Italian, duke regjistruar kështu një ngritje të nivelit të ujit. Ndërkohë disa krahina të Italisë u zgjuan këtë mëngjes nga reshjet e para të borës.

Rritja e nivelit të ujit është një fenomen natyror, që ndodh kryesisht kur baticat e mëdha të shkaktuara nga tërheqja gravitacionale e hënës, përputhen me erërat e ngrohta të Mesdheut. Ky fenomen detyron ujin të vërsulet nga Adriatiku drejt lagunës veneciane.

Autoritetet vendase kanë planifikuar më herët që të ndërtojnë një digë nënujore për të mbrojtur qytetin e bukur turistik i cili herë pas here bëhet shënjestër e përmbytjeve të mëdha.