Italia me shifrat më të ulëta ditore për koronavirusin në dy muajt e fundit

10.05.2020 17:40:43

Italia ka publikuar 165 vdekje që kishin të bënin me koronavirusin përgjatë 24 orëve të fundit, u bë e ditur në konferencën e përditshme nga Ministria e Shëndetësisë italiane.

Ky është numri më i ulët ditor në dy muajt e fundit, derisa 2,155 të tjerë u liruan nga spitali, shkruan lajmi.net.

Italia u zhvendos në fazën e dytë një javë më parë, por kurba vazhdon të rrafshohet ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.

Numri i vdekjeve ra në 165. Shifër më e ulët nuk ishte raportuar që nga 9 marsi, ku u raportuan 95 vdekje.

Gjithashtu, shteti evropian kishte vetëm 802 raste të reja pozitive, numri më i ulët ditor që nga 6 marsi.

Përgjatë 24-orëshit të fundit, Italia kreu 51,678 teste diagnostikuese të Covid-19.

Shtatë pacientë të tjerë u larguan nga kujdesi intensiv. Deri më tani, 105,186 njerëz janë shëruar plotësisht nga sëmundja.

Totali i të vdekurve në vend është 30.560. Vendi ka 83,324 raste pozitive aktive.

Disa rajone janë pothuajse të liruara nga koronavirusi tani, por Lombardia mbetet epiqendra e shtetit të Gadishullit Apenin, me 282 raste të reja nga 7.369 teste dhe 62 vdekje përgjatë të dielës.