Ivanov e fton Tsipras në Maqedoni

23.09.2016 11:42:05

Kryetari Gjorge Ivanov, duke folur në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 71-të, e ftoi kryeministrin grek Alexsis Tsipras ta vizitojë Maqedoninë dhe të jetë i ftuar special në samitin e liderëve të procesit të Bërdo-Brionit, vitin e ardhshëm që do të mbahet në vendin tonë.

‘Nuk ka problem që nuk mund të zgjidhet edhe diferenca që nuk mund të tejkalohet. I vetmi parakusht është që të respektojmë dhe përmes dialogut të vijmë me zgjidhje. Vitin e ardhshëm Maqedonia do të jetë nikoqire e procesit në Bërdo-Brioni, e cila ngadalë zëvendësoi iniciativat deklarative rajonale dhe mekanizmat. Uroj si një mysafir i veçantë i Samitit të marrë pjesë kryeministri i Greqisë’, tha Ivanov.

Ai i ka përshëndetur masat për krijimin e besimit me Greqinë dhe bëri thirrje për zgjerimin e tyre dhe të hyjnë në një kapitull të ri.