Izbacivaçët e hedhur si limon i shtrydhur nga Albini vazhdojnë të tregojnë përralla dhe pallavra komad-atësh

08.02.2017 22:56:07

Nga Rexhep Kastrati

Daut Haradinaj, duket se ka vendosur që të qëndrojë me përralla dhe me pallavra në politikë, dhe të dalë nga ajo po me përralla dhe me pallavra. Dhe këtë e ka dëshmuar si në fjalimet në Kuvend, ashtu edhe në intervista të ndryshme. Dhe kjo mënyrë nuk është vetëm e Dautit, as vetëm e Ramushit, por e gjithë komad-atëve që pas luftës, apo më vonë u kapën për politikën jo për të kontribuar për vendin, por për të përdorur atë për të legjitimiuar uzurpimet, grabitjet e ndryshme, e pse jo edhe për të pasur imunitet nga krimet eventuale që mund të kenë bërë.

Dhe fatkeqësia e Kosovës ka qenë që këta komad-atë gjatë tërë këtyre viteve janë munduar të mbajnë peng proceset për shkak të interesave personale dhe për shkak të maktheve që kanë pasur dhe që kanë nga përgjegjësia për ato që i kanë bërë qoftë gjatë luftës, qoftë pas saj. Natyrisht se këta komad-atë edhe për shkak të paaftësive për politikëbërje, edhe për shkak të mosnjohjes së ndërlikueshmërisë dhe ndërlidhshmërisë së proceseve, për shkak të konotacioneve dhe denotacioneve, për shkak të aspekteve diakronike dhe sinkronike, për shkak të konteksteve socio-politike, socio-historike, gjeopolitike e gjeostrategjike, për shkak të konteksteve të mundësive reale dhe konteksteve të së drejtës, pra, për shkak të gjithë këtyre, nuk kanë mundur të shfaqen ndryshe përveçse gjoksaxhi, kaubojë, arrogantë dhe groteskë.

Sigurisht e kanë kuptuar se nëse gjatë luftës kanë mundur të ikin sa andej këndej, të fshihen shkurreve dhe humbëtirave, por edhe të bëjnë pikën e sefasë me lloj-lloj pengu kafshëror apo njerëzor, në politikë je vazhdimisht në vëzhgimin dhe dukjen e opinionit. Prandaj, mënyra e pranisë së tyre në politikë ishte dhe ka mbetur në nivel përrallash dhe pallavrash, duke i banalizuar edhe çështjet më të ndërlikuara, më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në nivel të përrallave, të muhabeteve të kafeneve dhe të çiftelive.

Kështu, Hashim Thaçi shërbehet me institucionin e besë së pleqëve, Ramushi mbledhë kaubojët e tij dhe synon t’i rraset në shtëpi Musajve në orën një të natës, e pastaj kërcënon edhe kryeministrin e vendit, kurse Daut Haradinaj flet për çështje të rëndësisë së madhe, siç janë obligimet ndërkombëtare të Kosovës, raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë, për proceset e rëndësishme të shtetndërtimit dhe të sfidave më të rënda me të cilët ballafaqohet vendi, sikur të fliste ta zëmë për çështje të tilla: sa haraç duhet të paguajë iks firma nëse nuk do që t’i hidhet në erë biznesi, sa duhet ta ketë çmimin një hektarë tokë për të blerë qoftë kjo e ndonjë pronari privat, apo pronë komunale, publike apo shtetërore, sa kanabis do të mbillet sivjet, sa drogë do të shitet, sa aparate lojërash do të futen në punë, në cilat hotele duhet të shkohet sonte, e në cilat nesër, pra sikur të gjitha çështjet të vareshin nga vullnetet individuale, nga dëshira e njërës apo palës tjetër.

Ta zëmë, edhe sonte, pra në orët e mbrëmjes së të mërkurës, Daut Haradinaj, në RTK, në televizionin ku i punon edhe vjehrri, edhe kunata, edhe miku, apo edhe ndonjë tjetër, foli për obligimet ndërkombtare të Kosovës, sikur ato të ishin thjesht çështje e dështirës, apo vullnetit të Kosovës, e jo përgjegjësi ndërkombëtare që Kosova i ka marr bashkë me pavarësimin e saj. Po ashtu, edhe për procese të tilla si Asociacioni dhe Demarkacioni, Dauti foli sikur ato të kishin pikur nga qielli dhe sikur të mos ishin realizuar në praktikë që më 1999, dhe sikur të mos ishin negociuar me vite të tëra, kur edhe partia e tij dhe e Ramushit, pra partia e familjes Haradinaj dhe e kaubojëve të tij, kishte qenë pjesë e atyre negociatave. Por tërë opinioni e di se për Asociacionin nuk ishte vendosur më 2015, por më 2013, kur Blerim Shala në cilësinë e nënkryetarit të parë të partisë së Haradinajve, kishte qenë pjesë e negociatave bashkë me Edita Tahirin, kur na e sollën Marrëveshjen e 19 prillit 2013, e të cilën pastaj e votuan në Kuvendin e Kosovës për ta bërë ligj të detyrueshëm për çdo qeveri që do të vinte. Edhe çështja e demarkacionit, është një çështje që është negociuar me vite, dhe partia e Haradinjave ka qenë pjesë e tyre, qoftë edhe si vëzhguese. Dhe të gjitha këto ishin negociuar, dhe de facto ishin realizuar kur nuk ishte Qeveria aktuale, por kur ishte Qeveria e koalicionit PDK me pakicat dhe me bishtin rus në Kosovë, dhe kur partia e Haradinajve rrinte në dy karrige: edhe të opozitës, edhe të kruarjes me Qeverinë e Hashim Thaçit. Dhe Hashim Thaçi, si për ta tallur më shumë sesa për ta nderuar, i doli Ramushit në aeroport dhe i tha: Shoq, unë jam kryeministër!, kurse ai dhe partia e tij vazhdoi të kruhej edhe më tej me të.

Dhe opinioni i di të gjitha këto, ashtu siç e di se Ramushi iu kishte përgjëruar Jabllanoviqit që ta mbështeste për kryeministër, i kishte premtuar vendet e rezervuara dhe, gjithçka tjetër vetëm që të mbështetej për kryeministër. Dhe për ta arritur majën e përuljes, të zhgarravitjes dhe të devalvimit të tyre, komad-atët e tillë si Ramushi, Fatmir Limaj, Dauti, Lahi Brahimaj, Haxhi Shala dhe koxha do komad-atë të tjerë, u futën nën shalët e Albin Kurtit dhe të Visar Ymerit vetëm për pak pushtet, vetëm për një trohë, me shpresën se, o Zot, mos po bëhet Ramushi kryeministër. Dhe pasi i përuli për tokë fare, pasi i bëri të bëjnë të pabërat dhe i zhveshi fare nga aureola e vetëdeklaruar e komad-atëve, ua bëri ti qartë se kryeministri do të jetë vetë, kurse komad-atët mund të jenë vetëm izbacivaçë, pasi që Albini ka qejf fort të flasë serbisht dhe i ka dresuar edhe komad-atët që të flasin serbisht tamam si institucioni kafshëror i nuhatjes.

Dhe pas gjithë këtyre, vazhdojnë të nxjerrin gjoksin, të shesin përralla dhe pallavra, duke dalë butaforikë, groteskë dhe qesharakë, edhe pse Albin Kurti i kishte shtrydhur si limonin sa kishte pasur nevojë dhe i kishte hudhur poshtë, ashtu siç hudhet një limon i shtrydhur.

Dhe është e qartë se limonat e shtrydhur nuk janë asgjë tjetër pos limona të shtrydhur. Këmbëngulja për të bindur njeri se nuk janë limona të shtrydhur, por komad-atë që dridhin tokën, në fakt po përfundon si dridhje e vetvetes nga drithërimat që ua ka futur në palcë Gjykata speciale. Dhe këto drithërima nuk ua heq kush, sikurse makthet që do të vijnë duke iu rritur gjithnjë e më shumë. Dhe nga këto të dridhura dhe makthe nuk do t’i shpëtojnë as provokimet në rritje, as angazhimet e hapura serbo-ruse për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin, e të cilave aq shumë po u gëzohen dhe po ngazëllehen komad-atët e shtrydhur si limoni. Dhe kulmi ishte kur zbatimi i një urdhëri të Beogradit nga ana e listës “Srpska” për të mos bërë kuorumin për projektligjin për Demarkacionin, u shpall si fitore e këtyre limonave të shtrydhur. Po a ka më turp, a ka më mjerim se sa t’u gëzohesh obstruksioneve serbe të dirigjuara nga Beogradi?