Izmaku, e befasuar me reagimin e BE-së: RTK të financohet në mënyrë mikse, si në vendet e BE-së

27.01.2017 17:42:31

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Xhevahire Izmaku, ka theksuar se është e befasuar me reagimin e Bashkimit Evropian (BE) në lidhje më amendamentimin e ligjit të RTK-së.

Izmaku, në profilin e saj në Facebook ka shkruar se është e befasuar me një pjesë të përmbajtjes së këtij reagimi, ku thuhet se procesi ka qenë jotransparent.“Fillimisht më duhet të theksojë se për herë të parë pas një periudhe relativisht të gjatë, Komisioni për Media ka marrë parasysh edhe rekomandimet e raportit të progresit që RTK-në të ketë një financim të qëndrueshëm dhe të pavarur nga buxheti i shtetit. Është gjithashtu hera e parë kur seriozisht jemi marrë me zgjidhjen e çështjes së pronës. Financimi i RTK-së sipas këtij ligji, do të jetë i pavarur drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa vetëm një pjesë është nga buxheti i shtetit, kryesisht për çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me politika editoriale”, ka thënë ajo.

Sipas saj, për të qenë sa më transparent dhe në përputhje me standardet evropiane, ata si komision kanë ftuar përfaqësuesin e BE-ë, në punëtorinë e organizuar në Durrës, nga data 14 deri më 16 tetor të vitit 2016.

“Por, përgjigja ka qenë se nuk mund të marrin pjesë, por që do t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim pas konsultimeve me Brukselin. Dhe, asnjëherë prej atëherë nuk kemi marrë asnjë rekomandim. Gjithashtu, takimet e Komisionit për Media kanë qenë të hapura për pjesëmarrje, ku kanë mundur të vijnë edhe zyrtarët e BE në Kosovë. Pikërisht për ligjin e RTK-së, anëtarë të Komisionit për Media kanë zhvilluar disa vizita në disa transmetues publik rajonal dhe më gjerë, duke marrë praktikat më të mira për t’ia përshtatur RTK-së”, ka sqaruar ajo.

Izmaku ka thënë se mënyra mikse e financimit, siç e kanë shumica e transmetuesve publikë edhe në vendet e BE-së, duket të jetë forma më e qëndrueshme.

“Sigurisht që draft ligji do të dorëzohet në Qeveri për komente, siç e parasheh procedura, pastaj do të kërkohen komentet e Unionit Evropian të Transmetuesve dhe BE-së. Prandaj, ngutia nga ana e BE, për të dal me reagim ende pa u informuar se cilat janë procedurat dhe çka përmban ligji duket e habitshme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit me të cilin po përballet me vite të tëra RTK”, ka shtuar ajo.