Jahjaga në SHBA kërkon përkrahjen për krijimin e Ushtrisë së Kosovës

11.04.2018 20:00:21

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar ndihmën e SHBA-ve dhe mbështetje të mëtutjeshme që Kosova ta ketë ushtrinë.

Gjatë një vizite në SHBA, Jahjaga është takuar me Laura Cooper, zëvendës sekretaren amerikane të Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë, dhe Euroazi, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend, me theks të veçantë në proceset e sigurisë.

Sipas komunikatës, Jahjaga ka falënderuar zëvendës sekretaren Cooper për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve gjatë proceseve të ndryshme shtetndërtuese të Kosovës dhe theksoi nevojën e përgjithshme për një angazhim më të madh evropian dhe amerikan që do t’i ndihmonte shtetet e rajonit në konsolidimin e demkracisë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në kuadër të integrimeve euro-atlantike.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, me ç’rast Presidentja Jahjaga kërkojë ndihmën e SHBA-ve dhe mbështetje të mëtutjeshme.

Zëvendës sekretarja Cooper rikonfirmojë gatishmërinë e SHBA-ve për përkrahjen e Kosovës gjatë proceseve në fushën e sigurisë, duke theksuar se procesi i tranformimit të FSK-së në ushtri duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës, thuhet në njoftim nga zyra e ish-presidentes Jahjaga.