Jakup, unë i përndjekuri nga ti në emër të PDK-së, po të pyes: Më e rëndë është fjala, apo vrasja? Pse duhej të vriteshin gjithë ata njerëz?

30.10.2016 11:45:18

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi qenka prekur shumë nga akuza e re që është bërë kundër Fatmir Limajt, edhe pse vepra për të cilën akuzohet, në popull përflitet që nga koha kur ka ndodhur! Dhe ngaqë na qenka prekur, paska bërë një deklaratë politike, që nuk mund të quhet shkrim, me të cilën është deklaruar jo një nga të ashtuquajturit zëdhënës i UÇK-së, jo sekretari i djeshëm i përgjithshëm i PDK-së, jo ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në emër të PDK-së, por kryetari Këshillit të Nismës që e drejton Fatmir Limaj. Pra, foli si bashkëpunëtor i Fatmir Limajt dhe ka përsëritur atë që ka thënë ai: përndjekja. Fatmir Limaj po përndiqet nga ata që kanë përfituar në emër të UÇK-së. Unë nuk mund të them se Fatmir Limaj përndiqet përderisa akuza është konkrete, kurse përfoljet se vepra në fjalë është bërë me urdhër të tij është bërë qysh gjatë luftës, por e di që të ashtuquajturat parti që pretendojnë se kanë dalë nga UÇK, kanë përfituar shumë në emër të saj: Në emër të UÇK-së janë uzurpuar prona; në emër të UÇK-së janë kryer vrasje politike; në emër të UÇK-së është kërkuar pushtet; në emër të UÇK-së janë përndjekur gazetarë. Dhe unë jam njëri nga ata që më ka përndjekur Jakup Krasniqi në emër të PDK-së. Dhe më ka përndjekur vetëm pse kam shkruar, vetëm pse kam thënë këtë që po e thotë tash vetë Jakup Krasniqi. Dhe jam përndjekur në kohën kur shumë politikanë, ushtarakë dhe gazetarë vriteshin vetëm pse ishin institucionalistë e jo anarkistë; vetëm pse ishin bashkëpunëtorë të presidentit Rugova, ishin ushtarakë-insitucionalistë dhe ishin gazetarë që mbështesnin presidentin Rugova. Mëkati i vetëm ishte ky, e jo ta zëmë vrasja e ndonjë personi. Por në emër të UÇK-së u vranë apo u tradhtuan edhe shumë të tjerë që mund të kërkonin që të bëhej luftë çlirimtare dhe që kanë penguar planet vrastare të të tjerëve. Kurse Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi dhe të tjerët si këta, bënin karrierë, përfitonin në emër të UÇK-së. Mund të diskutojmë për pasurinë që këta kanë pasur para luftës dhe që e kanë tash, por nuk ka pasuri që mund të diskutohet para jetës së njerëzve. Dhe akuza që i është bërë Fatmir Limajt ka të bëjë me jetë njeriu. Dhe jetë njeriu ishte edhe jeta e Ali Ukajt, edhe jeta e Afrim Maliqit, edhe jeta e Hyzri Tallës, edhe jeta e Ilir durmishit, edhe jeta e Zahir Pajazitit, edhe jeta e Edmond Hoxhës, edhe jeta e Hakif Zejnullahut, edhe  jeta e kolonel Ahmet Krasniqit, edhe jeta e Enver Malokut, edhe jeta Ilir Konushevcit, edhe jeta e komandant “Korbit”, edhe jeta e Shefki Popovës, edhe jeta e komandant “Drinit”, edhe jeta e Xhemail Mustafës, edhe jeta e Shaban Manajt, edhe jeta e Ismet Rracit, edhe jeta e Ukë Bytyçit, edhe jeta e Bekim Kastratit, edhe jeta e Besim Dajakut, edhe jeta e kolonel Tahir, Enis e Hasan Zemajt, edhe jeta e Bardhyl Ajetit, edhe jeta e Smajl Hajdarajt, edhe jeta e Sebahate Tolajt, edhe jeta Isuf Haklajt dhe e shumë e shumë të tjerëve të cilët ose u tradhtuan dhe ranë në pritë, ose u vranë nga dora kriminale në emër të UÇK-së. Po, po në emër të UÇK-së! Adem Demaçi ka pas thënë se Xhemën (Xhemail Mustafën) e kanë vrarë djemtë e luftës, kurse në një debat në Prizren, ka pas thënë se krahu i tjetër, pra krahu kundërshtar i LDK-së, ia kish zënë për të madhe RTK-së pse i kishte dhënë aq hapësirë vrasjes dhe varrimit të Ukë Bytyçit. Pra, djemtë e luftës siç thoshte Demaçi kanë vrarë në emër të UÇK-së, dhe absolutisht këto nuk janë vlera të luftës çlirimtare, por vepra kriminale për të cilat duhet të përgjigjen edhe urdhërdhënësit, edhe organizatorët, edhe ekzekutorët, ata që kanë mbetur gjallë, ose që kanë shpëtuar pa u vrarë, por edhe ata që kanë bashkëpunuar me ta që nga dhënia e informacioneve, e deri te ata që i kanë vendosur në pritë, apo edhe që kanë shkrepur armë. Dhe gjatë gjthë kohës kur janë bërë këto dhe krime të tjera që nuk po i përmendi me këtë rast, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi dhe shumë të tjerë kanë qenë bashkë, kanë qenë zëdhënës dhe komandantë. Dhe nuk qenë këto krime që i kanë ndarë, por i ndanë ( aq sa mund të thuhet se janë ndarë) interesat, pretë e uzurpimeve dhe të luftës për pushtet. Pra, për ta ka më shumë vlerë pushteti, interesat e ndryshme personale-materiale, sesa jeta e njerëzve. Prandaj, tash kur ka ardhur koha që të jepet llogari (aq sa mund të jepet), për vrasjet e bëra, tash po shpiket përndjekja. Të japësh llogari për vrasjet e ndryshme, do të thotë të përndiqesh, kurse të urdhërosh apo të kryesh vrasje, është patriotizëm? Kjo është ajo që quhet vlerë e UÇK-së, vlerë e luftës? Sigurisht që jo: lufta çlirimtare është lufta që ka bërë një popull i tërë, që ka rrezikuar qoftë me luftë direkte, qoftë me mbështetje të ndryshme logjistike etj. Shumë familje janë masakruar me dyshimin se kanë strehuar apo kanë ndihmuar pjesëtarë të UÇK-së. Shumë të tjera janë masakruar, por nuk kanë tradhtuar djemtë e vërtetë të luftës. Shumë komandantë dhe shumë luftëtarë janë vrarë vetë për të shpëtuar bashkëluftëtarët e tyre. Shumë të tjerë kanë bërë luftën dhe dekën si me le dhe nuk e kanë lëshuar frontin. Shumë të tjerë kanë bërë luftën dhe kanë fituar. Dhe këto e shumë të tjera përfaqësojnë ato që mund të quhen vlera të luftës. Dhe këto nuk ka bir nëne që mund t’i cenojë, sepse këto i mbron dhe do t’i mbrojë një popull i tërë. Kurse Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku dhe të tjerët si këta nuk përfaqësojnë vlerat e luftës, pikërisht për krimet të cilat u ngarkohen , ose që pritet t’u ngarkohen. Prandaj, edhe çirrjet prej kukuvajke që po i bëjnë tash, pra edhe Jakup Krasniqi janë çirrjet e fundit përballë ballfaqimit me veprat që kanë bërë, që kanë urdhëruar të bëjnë dhe nga të cilat kanë përfituar në aspektin politik dhe në atë material. Këtë më mirë e ka ilustruar Zafa kur ka thënë: ta mbrojmë Fatmir Limajn se mund të na vijë rendi edhe neve.