Jean-Claude Juncker për FT-në: Nëse shembet BE-ja do të ketë luftë të re në Ballkanin Perëndimor

24.03.2017 14:27:17
European Commission's President Jean-Claude Juncker delivers a speech as he makes his State of the Union address to the European Parliament in Strasbourg, eastern France, on September 14, 2016. / AFP / FREDERICK FLORIN (Photo credit should read FREDERICK FLORIN/AFP/Getty Images)
Nga Muhamet Hamiti
Zhan Klod Junker (Jean-Claude Juncker), president i Komisionit Evropian, ia ka tërhequr vërejtjen presidentit ameriakn Donald Tramp (Trump) që të mos nxisë vende të tjera të BE-së të imitojnë Brexitin (daljen e Britanisë nga BE-ja) me argumentin se shpërbërja e BE-së mund të bëhet shkak për luftë në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta prestigjioze “The Financial Times” (FT) sot [e premte, 24 mars 2017]. Trumpi është i pandërgjegjshëm për historinë e ndërlikuar të Evropës, mendon Junckeri. Veterani luksemburgas i politikës evropiane, Junckeri 62 vjeçar, e ka tërhequr vërejtjen në takim me zëvendëspresidentin amerikan Majk Pens (Mike Pence) kur ky ishte në vizitë në Bruksel muajin e kaluar. “I thashë zëvendëspresidentit: ‘Mos e thoni këtë, mos i nxisni të tjerët ta lëshojnë BE-në, sepse po qe se Bashkimi Evropian shembet, do të keni luftë të re në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Junckeri.
Presidenti i Komisionit Evropian ka thënë se është me rëndësi që vendeve të rajonit t’u jepet perspektiva e anëtarësimit në BE. “Nëse i lëmë vetëm – Bosnja Hercegovina, Republika Sërpska, Maqedonia, Shqipëria, të gjitha ato vende – do të kemi luftë sërish”.
Gjatë një interviste në drekë që zgjati dy orë, Junckeri ka folur për shtrëngesat në marrëdhëniet transatlantike dhe ndikimin negativ të Brexitit, të cilin e quajti “tragjedi” me pasoja. Ai tha se z. Trump po u shkaktonte frikë evropianëve me retorikën e tij “Së pari Amerika” (‘America first’). “Për herë të parë në historinë e pasluftës kemi një president amerikan që lë përshtypjen se nuk është i interesuar për çështjet evropiane”, i ka thënë Juncker gazetës “Financial Times”.
Presidenti i Komisionit Evropian Juncker do të vizitojë Uashingtonin muajin që vjen, por, nga fjalët dhe toni i intervistës së tij, duket se ka pak shpresa se do ta takojë Presidentin Trump.