Jevtiq takohet me kongresmenin Engel, bisedojnë për problemet në Kosovë

07.02.2019 11:21:45

Dalibor Jevtiq është takuar në Washington me kongresmenin amerikan, Eliot Engel.

Zv/kryeministri i Kosovës dhe Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq është takuar në Washington me kongresmenin amerikan, Eliot Engel.

Jevtiq e ka njoftuar zyrtarin amerikan për problemet dhe zgjidhjet e mundshme në Kosovë. Ai po ashtu ia përcolli kërkesën për nevojën e respektimit të gjithë popujve në Kosovë.

“Duhet të caktohet dialogu me të cilin mund të zgjidhen problemet e ndryshme që pengojnë jetën e të gjithë qytetarëve në Kosovë. Ky do të jetë caku primar i Prishtinës dhe Beogradit. E di se nuk do të jetë e lehtë, por nëse kërkojmë të ardhme për ne dhe gjeneratat e ardhshme, atëherë kompromisi duhet të arrihet në një periudhë sa më të shpejtë”, u shpreh ai për mediat serbe, transmeton lajmi.net.

Jevtiq është ankuar se vendimi për taksë ndaj mallrave serbe në Kosovë e prekin më së tepërmi popullin që jeton në Kosovë andaj duhet të pezullohet.

“Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës ndikojnë keq në gjendjen në Ballkanin Perëndimor andaj duhet të ketë angazhim më të madh nga të gjithë”, theksoi ai.