Josa: Pres plotësimin e grupit, merkato me pikatore

10.01.2017 22:34:33

Tirana vijon përgatitjet në Antalya të Turqisë por trajneri Mirel Josa edhe pse është i kënaqur me grupin e futbollistëve që ka aktualisht në dispozicion, mbetet shumë i shqetësuar për faktin se 5 lojtarë shumë të rëndësishëm nuk i janë bashkuar ende bardhebluve në minifazën përgatitore të dimrit në tokën turke. Bëhet fjalë për portierin Ilion Lika, mbrojtësin Olsi Teqja, mesfushorin Afrim Taku si dhe dy kongolezët e talentuar Merveille dhe Moise. Këtyre 5 lojtarëve u janë dhënë disa ditë më shumë pushim nga klubi por ata edhe pse duhet të ishin bashkuar me 24-herë kampionët në stërvitje, kanë mbetur të bllokuar si pasojë e motit të keq. Në një intervistë ekskluzive për Supersport nga hoteli ku është akomoduar Tirana në Antalya, trajneri Mirel Josa u ndal fillimisht të fliste për këtë çështje.

” Ditët e para kanë shkuar në përgjithësi mirë, problemi nuk është si po shkojnë përgatitjet tona, pasi jam i kënaqur me lojtarët që janë këtu. Pres plotësimin e grupit, pasi periudha stërvitore në muajin e Janarit nuk na premton shumë gjëra, pasi është e shkurtër, dhe kampionati rifillon në datën 21. Jam shumë i shqetësuar me faktin se një pjesë e skuadrës nuk janë bashkuar me ne, për arsye të ndryshme dhe motit të keq. Jam i mërzitur për këtë pjesë. Kjo është një gjë që mua më shqetëson plotësisht, lojtarët duhet të ishin bashkuar me skuadrën. Do të flas me futbollistët kur të bashkohen me ekipin. Për lojtarët nuk vendos presidenti por vendos unë”.

Në orët e fundit po flitet për një shtyrje të kampionatit. Sipas Josës nëse federata e aprovon kërkesën e pjesës më të madhe të klubeve të Superiores për shtyrjen e kampionatit, ai do ta mirëpriste krahëhapur një vendim të tillë. ” Mua më duket një avantazh për skuadrën time dhe më duket diçka normale që të shtyhet kampionati,  nëse federata merr një vendim të tillë unë do isha shumë dakord”. Merkato është një temë e nxehtë në shtëpinë bardheblu. Josa në vijim të intervistës së tij foli edhe për Gjergji Muzakën dhe Erjon Vucaj-n dy futbollistë që i kanë dhënë lamtumirën skuadrës bardheblu para pak ditësh. Për sa i përket afrimeve lëvizjet në hyrje do të jenë me pikatore sipas trajnerit.

” Duke parë situatën në të cilin ndodhej Tirana që nga momenti që kam ardhur unë, u munduam të korrigjonim disi situatën për lojtarë si Muzaka dhe Vucaj, por nuk u bë asgjë dhe tashmë duhet ti zëvendësojmë këta dy futbollistë. Këta lojtarë më shumë sesa me trajnerin për çështjen e aktivizimit kanë pasur probleme me klubin dhe duhet të zgjidheshin më parë këto probleme që ata të flisnin me trajnerin..  Po bëjmë përpjekje në merkato, por nuk është e thjeshtë të gjesh lojtarët e duhur në këtë periudhë. Kemi 6 lojtarë të huaj dhe presim që ata të përshtaten më mirë me grupin, do kërkojmë lojtarë në merkato dhe në tregun shqiptar por edhe atë të huaj. Është e vërtetë që kemi marrë një lojtar moldav në provë por ai më parë duhet të më bindë mua. Ju siguroj që merkato do të jetë me pikatore për ne”

Presidenti i Tiranës Refik Halili pak ditë më parë konfirmoi se në drejtim të Tiranës ka ardhur një ofertë prej 700 mijë Eurosh për Merveille. Për 53-vjecarin kryqytetas nuk do të kishte asnjë problem nëse klubi vendos ta shesë lojtarin për të rregulluar bilancet. Në fund dhe një mendim i Josës se çfarë mund të bëjë Tirana në vitin 2017-të.

“Për Merveille nuk mund të flas. Nëse ka ardhur një ofertë prej 700 mijë Eurosh dhe presidenca vendon ta shesë unë do të respektoja vendimin e klubit. Unë pres shumë më tepër nga skuadra, pasi djemtë janë të karikuar dhe stërviten  mirë. Unë do ta shoh ecurinë e skuadrës javë pas jave dhe nëse arrimë rezultate të mira objektivat tona do të ndryshojnë mund të pretendojmë për tepër ose për më pak në rast të kundërt”.