Ka siguri për mbështetje ndërkombëtare për termocentralin Kosova C

10.08.2016 11:46:29

Mediat ndërkombëtare vazhdojnë të shkruajnë për ndërtimin e termocentralit Kosova C.

Së fundi revista Power Engineering International, ka shkruar se Kosova ka nevojë serioze për të zëvendësuar termocentralin e vjetër Kosova A, që është një ndotës i madh i ambientit, me një termocentral të ri shumë më pak ndotës, përmes të cilit do të eleminonte problemet e vazhdueshme me energji.

Në shkrimin me autor Diarmaid Williams thuhet se Qeveria e Kosovës ka shprehur besimin se termocentrali i me qymyr Kosova e Re do të fitojë miratimin përfundimtar për financim nga Banka Botërore.

“Termocentrali  i propozuar 1.1 miliard dollarësh është i destinuar për të zëvendësuar një të vjetër, një model që shkakton shumë ndotje, por vendi ka nevojë serioze për këtë zëvendësim, duke pasur parasysh problemet e saj të vazhdueshme me mungesë të energjisë”, shkruan Williams në www.powerengineeringint.com.

Ai më tutje shpjegon se Banka Botërore dhe bankat e tjera të zhvillimit kanë kufizuar financimet ndërkombëtare për termocentrale të reja me qymyr, duke përkrahur ato vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, siç është rasti i Kosovës ku mundësitë për energji të pastër janë shumë të kufizuara.

Kjo revistë ka cituar ministrinë Stavileci i cili ka thënë se nuk beson që “ndonjë nga partnerët tanë do të vë në rrezik të ardhmen e vendit tonë”. Më tutje revista e specializuar për tregun ndërkombëtar të energjisë shkruan se sistemi aktual i energjisë elektrike në Kosovë është 97 për qind i bazuar në dy termocentrale me qymyr që janë 46 dhe 35 vjeç.

“Vendi radhitet i pesti me rezervat më të mëdha të linjitit në planet ndërsa ende ndërprerjet janë të zakonshme për shkak të infrastrukturës së dobët të energjisë”, nënvizon paradoksin Williams. Në fund të shkrimit të tij ai përmend edhe humbjet e biznesit nga mungesa e prodhimit të energjisë elektrike që sipas ministrit Stavileci janë rreth 332milion euro  çdo vit.