Kadri Veseli synon ta rrëzojë Qeverinë aktuale, siç e rrëzoi Qeverinë “Mustafa”!

03.02.2018 18:01:02

Nga Rexhep Kastrati

Donika Kadaj Bujupi ka thënë se PDK, përkatësisht Kadri Veseli dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje, pasi sipas saj, paska një përpjekje edhe të PDK-së, edhe të LDK-së për të dalë me sa më pak faj për dëmet që ia kanë bërë vendit.

Megjithëse, futja në një thes e PDK-së dhe LDK-së është për qëllime politiko-partiake të saj, e që nuk i drejtohet edhe AAK-së, dhe është në vazhdën e qasjes së VV ka shpërfaqur gjatë viteve, megjithatë, pjesa më interesante e kësaj deklarate ka të bëjë me mundësinë që PDK, përkatësisht Kadri Veseli ta çojnë vendin në zgjedhje për të shtyrë çështjen e Gjykatës Speciale.

Është pjesa më interresante, pasi që zbulon një të vërtetë që e kam thënë vazhdimisht se Kadri Veseli do ta çojë vedin në zgjedhje edhe për çështjen e Gjykatës Speciale, por edhe prë shkak se tashmë e ka djegur Ramush Haradinajn.

Në fakt, Kadri Veseli është duke u munduar të luajë të njëjtën lojë që e ka luajtur në mandatin e kaluar me opozitën e mëparshme në krye me VV-në kundër Qeverisë “Mustafa”, duke synuar kështu që nëpërmjet ndonjë mocioni nga opozita e sotme, të rrëzojë Qeverinë aktuale.

Megjithatë, këtë qëllim, Kadri Veseli nuk do ta realizojë pa ndonjë pretekst  të rëndësishëm, e që për opozitën do të ishte e motivueshme dhe unifikuese për një mocion mosbesimi, e me ç’rast do të mund të përsëritej skema e mocionit si në rastin e mocionit kundër Qeverisë “Mustafa”.

Nëse në mandatin e kaluar ka pasur qartësisht një opozitë kryesore, e që ishte VV, tash ka dy subjekte opozitare që shikuar nga numrat janë shumë të mëdha: LDK dhe VV, edhe pse kjo e fundit ka një çarje edhe në grupin e saj kuvendor.

Dhe qëllimi se përse Kadri Veseli do ta çojë vendin në zgjedhje, nuk ka të bëjë thjesht me Gjykatën Speciale, por edhe me fuqizimin e tij si faktor kryesor politiko-institucional përballë aleatëve tanë në krye me SHBA-të.

Një arsye tjetër pse Kadri Veseli mund të provojë ta çojë vendin në zgjedhje ka të bëjë me faktin se LDK është në një situatë kur kryetarin e ka jashtë në trajtim hospitalor, dhe kur klane brenda dhe rreth saj po mëtojnë të marrin kreun e saj. Në një situatë të këtillë, do të ishte e vështirë për LDK-në që të mund të mobilizonte dhe motivonte mbështetësit e saj për një rezultat pozitiv.

LDK do të duhej të mos e bënte veten pjesë të këtyre angazhimeve, por të qëndronte në interesat strategjike të saj dhe të vendit, duke e lënë betejën ndërmjet atyre që kanë interesa personale dhe në kundërshtim me interesat e vendit.

Kjo do të thotë që LDK t’u shmanget situatave që mund ta përfshijnë në skenarë të të tjerëve, por të jetë më e fortë, më aktive dhe më e vendosur në çështje të rëndësishme për vendin dhe për të!