Karikaturat groteske dhe pafytyrësia e veglave kondomë brenda e rreth LDK-së

22.03.2018 11:47:49

Nga Rexhep Kastrati

Parashutistët e LDK-së, apo ciu-ciut, që nga korpusi i medieve kundër LDK u afirmuan në përmasa maksimale dhe u imponuan si e ardhmja e LDK-së, me triumfalizëm dhe me një gërvallje butaforike u shfaqën pas votimit të Demarkacionit, duke e paraqitur veten vetëm karikatura politike injorante. Dikush çuditej se si e fusnin gazin lotjsjellës kuvendarët e LDK-së dhe paralajmëronte mundësi shqyrtimi të tërheqjes së njohjeve nga disa shtete që e kanë njohur Kosovën për pasojë të gazit lotsjellës, ndërkohë që një ditë më parë i kishte quajtur të emancipuar po kuvendarët e LDK-së, një tjetër, si një babaxhan grotesk nxirrte gjoksin dhe thoshte se nuk mund t’i frikësonte kush, sikur të bëhej fjalë për arenë gladiatorësh.

Në fakt, kjo qasje groteske, që nuk është fare në traditën e LDK-së, të asaj partie që kishte udhëhequr popullin në një proces të mundshëm dhe të vështirë për liri, pavarësi, demokraci, kur veprimtarët e saj vërtet nuk kishin frikë dhe bënin shumë që bota t’i njohë shqiptarët si të aftë për të ndërtuar dhe mbajtur shtet, që vërtet kishin interesat e Kosovës para interesave personale, pra kjo qasje groteske, është vetëm devalvim i vlerave të LDK-së, sepse nxjerr në sipërfaqe atë që e kam thënë vazhdimisht: shndërrimin e saj në patericë të të tjerëve dhe vetëm një depo votash për të tjerët.

Unë e besoj Isa Mustafën, i cili gjatë viteve sa drejtonte Qeverinë e Kosovës, por edhe më pas u ballafaqua me sabotim, bojkot dhe kundërvënie të hapur piklërisht për çështjen e demarkacionit, i cili edhe pse në trajtim hospitalor në Gjermani, megjithatë ka pasur kthjelltësinë dhe përgjegjshmërinë maksimale të një lideri, por nuk mund të besoj ata që gjatë viteve kur LDK drejtonte Qeverinë shpërfaqnin qëndrime të ndryshme dhe të kundërta me ato që LDK-së edhe sa i përket demarkacionit, kurse tash shpërthejnë me një triumfalizëm grotesk.

Edhe grupi i veglave kondomë që nuk patën votë për Isa Mustafën kryeministër, as për demarkacionin kur LDK e drejtonte Qeverinë, janë dëshmuar turpi, mjerimi dhe faqja e zezë e LDK-së, pasi që dëshmuan se vazhdojnë të zbatojnë axhendat kundër LDK dhe axhendat e atyre që kanë punuar dhe po punojnë që LDK të mos jetë vetë drejtuese e Qeverisë dhe e proceseve, por bisht dhe patericë e të tjerëve. Në fakt, këto vegla kondomë nuk patën fare gajlen e LDK-së as të interesave të Kosovës, por vetëm bënë atë që u është kërkuar nga Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj., ashtu siç kanë vepruar edhe dje. Ishte e turpshme, ishte mjerim i plotë të shihje këto vegla se si bënin avokatinë e rrogëtarllëkut ndaj të tjerëve, ndërkohë që ishin tepër agresivë kur kryeminsitër ishte Isa Mustafa. Këto vegla kondomë si do të kenë fytyrë të dalin në rrugë, të kërkojnë votën dhe të mund t’u dalin përpara fëmijëve të tyre? Si do t’u përgjigjen  pyetjes: pse nuk e votuat demarakcionin dje kur LDK e drejtonte Qeverinë, kurse e votuat tash kur kryeministër është njëri nga ata që kishte krëcënuar kryeministrin Mustafa me arrestim, pra me grushtshtet, dhe kur për ta përmbysur Qeverinë e Isa Mustafës, i vunë zjarrin institucioneve? Pafytyrësia më e madhe do të ishte sikur të thirren në interesa të vendit, pasi që e vërteta është se ata i kanë cënuar rëndë interesat e vendit duke iu bashkuar angazhimeve të të tjerëve për sabotimin dhe rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”, pasi që në atë mënyrë ndihmuan në qëllimet për devalvimin e vlerave dhe rolit të LDK-së si udhëheqëse e proceseve në vend, u ndihmua në prishjen e imazit të Kosovës në botë, u ndihmua që për pasojë Kosova të mos pranohej në UNESCO.

E vërteta e hidhur është se si të parët, pra parashutistët, apo ciu-ciut, si të dytët, pra veglat kondomë të djeshëm dhe të sotëm, kontrollohen fort nga Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe të tjerë si këta dhe interesat shtetërore i përdorin vetëm si kamuflim për të fshehur faktin se zbatojnë urdhëra dhe axhenda të të tjerëve.

Në fakt, gazi lotsjellës u ndal dhe demarkacioni u votua vetëm kur deshi Kadri Veseli, kurse kuvendarët e VV-së në krye me Albinin dhe ata që po e quajnë veten të pavarur, qëndruan në sallën plenare si nxënës të dëgjueshëm dhe nuk bënë as përpjekjen minimale për të prishur senacën. Adem Hoxha nga ana tjetër, kishte pranuar të vinte në seancë dhe ta votonte demarkacionin vetëm pas urdhërit të Vuçiqit.

Prandaj, është koha e fundit kur duhet të tegohet sinqeritet me LDK-në, me mbështetëstie  saj, me veprimtartë e saj, me gjithë ata që gjatë viteve kanë kontribuatr shumë, por që në strategjinë e pushtimit të saj, dhe të shndërrimit të saj në patericë të të tjerëve, janë dëbuar dhe janë zëvendësuar me vegla kondomë dhe me ciu-ciu, që është brezi më i ri i veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, dhe të mendohet për fatin e saj dhe të konsolidimit të saj të vërtetë, që të rikthehet dinjitetshëm në skenën politike dhe shtetërore të Kosovës, dhe në skenën e interesave kombëtare. Kjo është e domosdoshme, sepse vetëm LDK është e destinuar që të realizojë interesat kombëtare dhe shtetërore!