Kepa refuzon zëvendësimin, tërbohet Sarri

25.02.2019 11:03:42

Ndodhi diçka e padëgjuar më parë në minutat e fundit të kohës shtesë në finalen e Carabao Cup mes Chelsea-t dhe Manchester City-t. Protagonistë të një skene sureale u bënë trajneri Maurizio Sarri dhe portieri, Kepa Arrizabalaga, i cili po kalonte një ngërç, apo ndryshe, bllokim muskular.

Trajneri italian njoftoi portierin e dytë Willy Caballero, madje ia komunikoi zëvendësimin edhe gjyqtarit të katërt, por “gardiani” spanjoll nuk pranoi të dilte nga fusha.

Pas disa minutash diskutime, Kepa qëndroi në fushë, duke shkaktuar irritimin e zëvendëstrajnerit Zola dhe të vetë Sarrit, që në një moment iu drejtua dhomave të zhveshjes, për t’u kthyer me hapat e tij të rëndë në pankinë.

Ndërhyrja e Rudiger shërbeu për të shuar të paktën për momentin zënkën. Pas goditjeve të 11-metërshave, Sarri nuk e fshehu zhgënjimin, Kupën e mori Manchester City.