Ashtu sikurse në edicionin e kaluar ndaj Atalantas, edhe mbrëmë Paulo Dybala e gjeti rrugën e golit. Sulmuesi i Juventusit vulosi rezultatin 3-2 dhe siguroi kalimin në çerekfinale të Kupës së Italisë.
“Pas Doha-s kam jetuar një kohë të ndjeshme, – janë fjalët e argjentinasit, i intervistuar nga “Rai Sport”. – Unë kurrë nuk kisha humbur një penallti me Juventusin. Por, tani, gjithçka është mirë.” Kundër Atalantas, Dybala ka luajtur në rolin e tij natyral, si sulmues i dytë, por hipoteza e “treshes sulmuese” është ende e gjallë në mendjen e Allegrit: “Loja e tanishme është e përsosur, sepse trajneri më jep aq shumë liri. Po tregohet i afërt me mua.”
Mediat thonë se Barcelona dhe Real Madrid janë të gatshëm për të paguar shuma të çmendura për ta marrë atë në Spanjë. Sidomos “Los Blancos” duken gati për ta “xhiruar” konkurrencën: 105 milionë euro, sipas zërave të fundit nga Spanja, do të jetë oferta që Real Madrid do t’i bëjë Juves. Dybala, megjithatë, duket se nuk do të dëgjojë për interesimin e skuadrave spanjolle, teksa mendon vetëm për rinovimin me klubin e Juventusit: “Këto oferta që po përfliten nuk janë konkrete. Atëherë, çfarë të flasim për to? Po mendoj atë që do të vendos me Juventusin, rinovimin këtu, jo për gjëra të tjera”.