Kerry: Pa fakte nuk ka ekstradim të Gulenit

21.07.2016 10:03:10

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry ka kërkuar nga autoritetet turke dëshmi të forta për përzierjen e Fehtullah Gulenit në tentimin e grusht shtetit në Turqi, nëse duan ekstradimin e tij.

Kerry bëri të ditur se me ministrin e jashtëm turk në shumë biseda telefonike që ka pasur me të, i ka thënë qartë se vetëm pretendimet se Gulen është i përzier në grusht shtet nuk janë të mjaftueshme për ekstradim.

Autoritetet në Ankara kanë deklaruar se Turqia i ka dërguar SHBA-ve dokumente për Gulenin që “vullnetarisht” jeton në ekzil në Pensilvania.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë të ditur nëse bëhet fjalë për kërkesë zyrtare për ekstradim të klerikut mysliman.

Kerry ka thënë po ashtu se zyrtarët turq i kanë premtuar për rregullim të energjisë elektrike në bazën ushtarake në Incirlik që është ndërprerë pas tentimi të pucit ushtarak.