Kina kritikon zyrtarët amerikanë për komentet rreth koronavirusit

12.03.2020 20:53:35

Kina ka kritikuar zyrtarët amerikanë për komentet që sic thonë ata janë ‘’komente të pamoralshme dhe të papërgjegjshme’’. Zyrtarë të lartë amerikanë fajësonin Pekinin zyrtar për një përgjigje të dobët, që edhe shkaktoi pandeminë e koronavirusit.

Të mërkurën, Këshilltari kombëtar i Sigurisë, Robert O’Brien, akuzoi Kinën për një përgjigje të ngadaltë pas emergjencës së parë të koronavirusit, duke shtuar se i ka kushtuar botës dy muaj parapërgatitje për pandemi.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang, ka thënë se komentet e ‘’pamoralshme dhe të papërgjegjshme’’ të zyrtarëve amerikanë nuk do të ndihmojnë përpjekjet për ndaljen e pandemisë.

Ai thotë se përpjekjet e Kinës kanë ndihmuar botën që të përgatitet.

‘’Do dëshironim që disa zyrtarë amerikanë të koncentronin energjinë e tyre në luftimin e virusit dhe të promovonin bashkëpunimin, dhe jo të gjuanin fajin tek Kina’’, tha ai.

Koronavirusi filloi së pari në dhjetor në qytetin qëndror të Kinës, Wuhan dhe provicncën Hubei, ku së paku dy të tretat e të gjitha rasteve me koronavirus janë regjistruar.