Kolonel, ata janë hileja, janë besëpremja, janë dora e zgjatur e së keqes!

30.11.2016 15:43:08

Nga Rexhep Kastrati

Kolonel, ata që kanë luajtur lojën e dreqit, pra ata që vazhdojnë të luajnë lojën e dreqit, vazhdojnë të fshihen mbrapa emrit dhe fotografisë tënde. Janë të pashpresë kolonel, prandaj nuk kanë kah t’ia mbajnë pos të fshihen mbrapa emrit dhe fotografisë tënde. Por, kolonel, si të pashpresë që janë, nuk po e shohin sesa më shumë që po fshihen mbrapa emrit dhe fotografisë tënde, më shumë po e demaskojnë veten. Edhe me ata po ndodh si me ata që u fshehën mbrapa emrit dhe fotografisë së Adem Jasharit. Dhe kolonel, duket se po i zë gjaku, po i zë hilja dhe tradhtia kolonel. Po kolonel, ata që e patën me hile, dhe ata që tradhtuan, edhe tash e kanë me hile dhe me tradhti. Ata kanë makthe, kolonel. Kanë makthe, sikurse ata që e patën me hile dhe që e tradhtuan Adem Jasharin. Në ëndrrat e tyre ka krisma dhe gjak, kolonel! Janë krismat dhe gjaku që ndërprenë një jetë, që ndërprenë një mision: misionin e bashkimit dhe të lirisë së vërtetë. Dhe të vranë ata që e kishin me hile, që nuk donin bashkimin, që nuk donin lirinë e vërtetë. Po kolonel, sepse në sytë, zemrën dhe në mendjen tënde panë dashurinë për vendin, për kombin, për lirinë, për bashkimin, ashtu siç panë edhe mundësitë dhe vendosmërinë tënde për t’i realizuar këto. Kolonel, thonë se çdo fis e ka nga një pis, por duket se pushtuesit na kishin lënë më shumë pisa. Dhe këta pisa që të morën më qafë për të gjallë, tash ndjejnë më shumë se kurrë që të fshihen mbrapa emrit dhe fotografisë tënde, sepse po vjen ora e së vërtetës, ora që do t’ua heqë maskat të gjithë atyre që edhe buzëqeshjen e kanë maskë, edhe dashurinë për ty e kanë maskë, edhe  nderimin për ty e kanë maskë. Prandaj, sa më e afërt ora e së vërtetës  aq më shumë po fshihen mbrapa emrit dhe fotografisë tënde, aq më agresivë po bëhen, sepse ata kanë frikë, ata tremben të jenë pa maskë, sepse pa emrin dhe fotografinë tënde janë hiçi, janë hileja, janë besëpremja, janë dora e zgjatur e së keqes.