Kosova është ende larg formimit të Qeverisë, thotë Hamiti për portalin bullgar

16.11.2019 17:29:21
“‘Mini-Shengeni ballkanik’ është nismë që Kosova në gjendjen e tanishme, e panjohur nga Serbia, nuk duhet ta pranojë assessi. I vjen era si përpjekje për ringjallje të idesë së Jugosllavisë, tash (paradoksalisht!) edhe me Shqipërinë në të. Çuditem pse Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po e promovon këtë ide që, me sa duket, i konvenon më së shumti Serbisë. Nuk e besoj se do të realizohet, megjithatë”, ka thënë Muhamet Hamiti gjatë një interviste për mediumin bullgar para disa ditësh, që është botuar sot (e shtunë, 16 nëntor 2019).
Më poshtë teksti i plotë i intervistës në shqip. Në fund vegëza e intervistës së botuar në bullgarisht.
Intervistë e dr. Anton Pançevit me prof. Muhamet Hamitin për portalin e lajmeve Epicenter.bg
Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, Republika e Kosoës. Në periudhën 2002-2006 ka qenë zëdhënës dhe këshilltar politik i Presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa në vitet 2008-2012 ishte ambasadori i parë i Kosovës në Britaninë e Madhe.
Epicenter.bg: I nderuar prof. Hamiti, shpallja e rezultateve zyrtare nga zgjedhjet parlamentare u vonua. Vendimi i PZAP-it nga 11 nëntori ndoshta e ndryshoi në mënyrë dramatike përbërjen e legjislaturës së ardhshme. A do ta kalojë pragun zgjedhor koalicioni Nisma Socialdemokratike – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë?
Hamiti: Me vendimin e PZAP-it, besoj se po, ky koalicion duket se do ta kalojë pragun prej 5%, që do t’i siguronte atij 6 ulëse në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që ka fituar përqindjen më të madhe të votave shqiptare, pak më shumë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka parashtruar ankesë te Gjykata Supreme e Kosovës ndaj vendimit të PZAP-it për përjashtim të më shumë se 3000 fletëvotimeve që kanë ardhur në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia, të cilat, kur janë numëruar, doli të jenë gati 100% për “Listën Serbe”, formacionin politik serb në Kosovë që funksionon nën patronazhin e Qeverisë së Serbisë.Tre kandidatë të LVV-së që do të mbesnin jashtë Kuvendit kanë parashtruar ankesë, duke kërkuar futjen e këtyre votave nga Serbia. Këtë e bëjnë për hesape të veta dhe të LVV-së dhe jo të “Listës Serbe”, e cila në të vërtëtë nuk humb asgjë – 10 ulëse do t’i ketë në secilin variant.
Të shohim si do të vendosë Gjykata Supreme, që ka afat prej 72 orësh prej sot (12 nëntor) për ta bërë këtë.
Po t’i pranonte Gjykata Supreme këto vota të kontrabanduara nga Serbia frikësohem se do të krijohej një precedent i rrezikshëm politiko-juridik. Qeveria e Serbisë dhe argatët e saj nga “Lista Serbe” në zgjedhjet e ardhshme do të mund të sillnin me dhjetëra mijëra ‘vota’ të tilla të manipuluara në Kosovë.
Epicenter.bg: Hyrja eventuale e këtij koalicioni në Kuvend a do të ndikojë mbi negociatat midis LDK-së dhe Vetëvendosjes? Dhe a duhet të zgjerohet koalicioni i ardhshëm qeveritar pasi që në këtë situatë LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk kanë 61 deputetë?
Hamiti: Patjetër që do të ndikojë. LVV-LDK mund të vendosin ta përfshijnë koalicionin ën Qeveri (për të bërë 63 nga 120 ulësë në Kuvend), ose të bëjnë koalicion me pakicat serbe dhe të tjera, që gjithsjet kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvend.
Mua më duket më e dobishme për legjitimitetin dhe sidomos për stabilitetin e Qeverisë së ardhshme që të ketë një shumicë qeverisëse shqiptare. Pakicat edhe ashtu, me Kushtetutë, kanë përfaqësimin e tyre të garantuar në Qeveri. Kosova do të ballafaqohet me sfida të mëdha: 1) rimëkëmbjen e Kosovës në të gjitha fushata, sepese Kosova është qeverisur keq në vitet e fundit prej atyre që tash do të mebsin në opozitë, dhe 2) dialogun me Serbinë për normalizim, zgjidhje përfundimtare, që duhet të ndodhë me njohjen e ndërsjellë të Kosovës e Serbisë.
Epicenter.bg: Ekipet negociuese të partive fituese i kanë përafruar programet e tyre. A i ndan vetëm posti i presidentit?
Hamiti: Nuk di shumë detaje për këtë, por me sa është thënë publikisht nga të dyja partitë ato kanë përafruar qëndrimet për pikat themelore programore. Edhe posti i Presidentit është me rëndësi. Në qoftë se nuk ka një ujdi në parim që tani, mund të ndodhë që mbas një viti e gjysmë kjo qeveri LVV-LDK-të tjerët të bjerë në qoftë se nuk zgjedhet Presidenti në Kuvend në pranverën e vitit 2021.
Epicenter.bg: A është dakorduar ndarja e ministrive ndërmjet partnerëve të ardhshëm të koalicionit?
Hamiti: Jo ende, me sa duket. Me gjasë paqartësia rreth rezultateve përfundimtare (nëse do të kalojë pragun koalicioni Nisma-AKR-Partia e Drejtësisë) e ka bërë këtë marrëveshje edhe më të vështirë tani. Janë përmendur parapëlqime të LVV-së për dikastere të veçanta (që lidhen sidomos me sundimin e ligjit), por LDK-ja publikisht ka qenë e heshtur rreth kësaj. Liderët e të dyja partive, Albin Kurit dhe Isa Mustafa, me gjasë, në fund do ta bëjnë këtë ndarje, e cila duhet të sigurojë baraspeshë pushtetore në Qeveri ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, në radhë të parë.
Epicenter.bg: Sipas Jush, a është e detyrueshme përfshirja e “Listës Serbe” në qeveri apo Kushtetuta dhe ligjet lejojnë edhe variante të tjera për pjesëmarrjen e politikanëve serbë në pushtet?
Hamiti: Njohës të Pakos së Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Kosovës, juristë, e thonë së “Lista Serbe” do të duhet të përfaqësohet në Qeveri. Lideri i LVV-së fillimisht ka qenë më i prerë në kundërshtim të kësaj. Duket se i ka zbutur fjalët në ndërkohë.
Epicenter.bg: Dhe një pyetje nga politika rajonale – si e vlerësoni nismën për “Mini-Shengenin” ballkanik? A i dëmton interesat e Kosovës në këtë format shtetëror?
Hamiti: Kjo është nismë që Kosova në gjendjen e tanishme, e panjohur nga Serbia, nuk duhet ta pranojë assessi. I vjen era si përpjekje për ringjallje të idesë së Jugosllavisë, tash (paradoksalisht!) edhe me Shqipërinë në të. Çuditem pse Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po e promovon këtë ide që, me sa duket, i konvenon më së shumti Serbisë. Nuk e besoj se do të realizohet, megjithatë.