Kryeministri Mustafa : Jam i gatshëm t’ju dalë përpara atyre që kërcënojnë për demarkacion

23.02.2017 21:51:07

Kryeministri Isa Mustafa ka folur edhe për kërcënimet për deputetët e Kuvendit të Kosovës që do ta votojnë demarkacionin me Mali e Zi, si dhe për kërcënimet e banorëve të zonës kufitare me Malin e Zi.

Sipas tij, askush nuk ka të drejt të kërcënojë askënd dhe se këtë e bëjnë njerëzit e ligë.

Ai tha se ka pasur rastin të takohet me rreth 80 banorë të Rugovës dhe se nuk është frikësuar dhe as nuk do të frikësohet, sepse demarkacioni është i drejt dhe Kosova nuk humb asnjë metër tokë.

“Kur e kanë ngritur zërin ata në Rugovë, kryetari i Pejës ju ka thënë s’keni nevojë me ngrit zërin, thjesht nëse keni ndonjë fakt apo dokument që keni humbur tokë, prezantoheni. Por ata nuk kanë prezantuar asnjë fakt, asnjë dokument. Edhe unë kam qejf që Kosova me qenë më e madhe, por është kjo që është”, ka thënë Mustafa në intervistë për Tribuna Channel.

Tutje ai ka thënë se zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit i kanë thënë se demarkacioni duhet të përfundojë pasi që NATO nuk lejon që të ketë ushtrinë e vetë në dy shtete që kanë problem me kufirin.