Kryetarët e komunave dhe ministria dalin me propozim: Orari i lëvizjes do të mbetet siç ka qenë

11.04.2020 14:59:36

Nga dita e hënë, më 13 prill, do të hiqet ora policore e vendosur nga Qeveria e Kosovës, si masë mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Kryetarët e Komunave sot kanë mbajtur një takim jashtëzakonisht me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për t’u koordinuar edhe më tutje në betejën e përbashkët kundër pandemisë Covit19.

Ky takim vjen pasi dje Këshilli i Kryetarëve është mbledhur në një takim ku kanë nxjerr nëntë rekomandime për angazhime të përbashkëta në parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Në këtë takim me Ministrin Vitia është vendosur që orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve do të mbetet ashtu siç ka kërkuar Asociacioni i Komunave do të jetë i njëjtë për të gjitha komunat nga ora 17.00-06.00, përveç komunës së Malishevës dhe Mitrovicës Veriore.

Orari i kufizimit mund të ndryshojë varësisht prej ndryshimit të situatës nëpër komuna.

Po ashtu u vendos që Komunat mund të karantonohen varësisht nga situata dhe zhvillimet në të ardhmen.

Në varësi të kërkesave të Kryetarëve është vendosur që bujqit do të mund ti punojnë arat por do të pajisen me leje të veçanta që të mund të punojnë edhe jashtë kufizimit.

Në anën tjetër Ministri Vitia vlerësoi lartë bashkëpunimin me AKK-në dhe tha pa bashkëpunim me komunat nuk do të arrihet suksesi i dëshiruar.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 24 marsi të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe të automjeteve. Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe të automjeteve fillimisht u bë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në orën 06:00 në mëngjes. Ndërsa nga 28 marsi Qeveria kishte marrë vendim për ndërrimin e orarit të orës policore, me ç’rast u ndalua qarkullimi i qytetarëve dhe i automjeteve private gjatë orës 17:00 deri në orën 06:00.

Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, me ç’rast ka kërkuar që ky vendim të zbatohet deri më 13 prill.

Institucionet në vend janë të obliguara të nxjerrin vendime të reja për kufizimin e lirisë së lëvizjes mbi bazën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese