Kryetari Isa Mustafa priti në takim strukturat e FRLDK të udhëhequra nga kryetari Fidan Rekaliu

31.05.2019 22:53:04

Sot, kryetari Isa Mustafa priti në takim strukturat e FRLDK të udhëhequra nga kryetari Fidan Rekaliu, njëherësh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kryetari Mustafa ritheksoi rëndësinë jetike që ka rinia kosovare për ardhmërinë e vendit, në përgjithësi dhe rinia e LDK-së për të ardhmen e partisë sonë, në veçanti.

Lidhja Demokratike, gjithnjë e më shumë, i jep rëndësi dhe hapësirë rinisë kosovare dhe FRLDK në vizionin, planprogramin, programet, projektet dhe aktivitet e saj. Kryetari Mustafa shprehu zotimin e tij dhe të Kryesisë së LDK-së për t’i ofruar rinisë së LDK-së përkrahje dhe përfshirje maksimale, konform rëndësisë së skajshme që ka rinia jonë e shëndoshë për vendin dhe për LDK-në.

Kryetari i FRLDK, Fidan Rekaliu u përqendrua tek draft-rezoluta që do të propozohet për votim në Kuvend për parandalimin e largimit të rinisë, për të avancuar pozitën dhe interesat e rinisë në shoqërinë kosovare. Rezoluta do të shtjellojë kërkesat dhe nevojat e rinisë për punë praktike, subvencionim në arsim, shëndetësi dhe, mbi të gjitha, rikthimin e shpresës për një të ardhme të ndritur në Kosovë, pa pasur nevojë të kërkojnë gjetiu një jetë më të dinjitetshme.

Në fund, u diskutuan edhe aktivitetet e FRLDK-së në muajt në vijim.

I pranishëm në takim ishte edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Xh Mustafa.