Kundër debateve që keqpërdorin historinë për të mbrojtur paternalizmin dhe të ashtuquajturin komb kosovar (1)

16.10.2016 14:09:27

Debate me konotacione kundërkombëtare

Nga Rexhep Kastrati

Debatet që po bëhen tash me rastin e qëndrimit të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, janë në të njëjtën frymë si ato lidhur me çështjen kalimit të disa futbollistëve të kombëtares shqiptare, në përfaqsuesen futbollistike të Kosovës. Gjatë këtyre debateve, sidomos disa tekstshkrues shpërfaqën arrogancën personale edhe në kuptimin e superioritetit personal, edhe të superioritetit shtetëror të shtetit shqiptar, edhe pse askush nuk i ftoi të flisnin në ato cilësi. Në fakt, ata treguan jo superioritetin, por treguan injorancën, sepse as nuk e njohin si duhet temën për të cilën flasin, as nuk kuptojnë se kështu po bëhen palë me ata që po duan në shekullin XXI t’i ndajnë shqiptarët në shqiptarë dhe kosovarë. Në anën tjetër, duke e njëjtësuar qëndrimin ndaj Edi Ramës me qëndrimin ndaj shtetit shqiptar, këta tekstshkrues, në fakt po bëhen avokatë të këqinj të një kryeministri, i cili ka telashe të mëdha me qeverisjen e vendit, ka lidhje të forta me kanabisin dhe me eshalonin e krimit. Dhe kur këtë e bëjnë duke vënë përballë kritikuesve të Edi Ramës shtetin shqiptar si shtet i krijuar me sakrificën e shqiptarëve, atëherë bëjnë sakrilegjin diskreditues për vetë shtetin. E kam thënë edhe dje: shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në territoret tjera të dala nga ish-Jugosllavia e kanë të madhe dashurinë për shtetin shqiptar dhe presin që një ditë të bashkohen me të, por natyrisht nuk do të thotë se mund të pëlqejnë dhe të pajtohen me gjithçka që bëjnë qeveritë që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë atë shtet. Përpjekja për të njëjtësuar këto, pra qeveritë me shtetin, jo që nuk i shërben të vërtetës, por i shërben pikërisht kauzës që kritikojnë: kauzës së të ashtuquajturit komb kosovar, sepse kjo përpjekje po shoqërohet me arrogancë dhe agresivitet ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët kurrsesi nuk i quajn shqiptarë, por kosovarë. Kjo do të thotë  se duan të mbeojnë kauzën e një kombi shqiptar, që është shumë e vërtetë dhe shumë e qartë, duke i trajtuar shqiptarët e Kosovës si kosovarë, dhe aq më keq duke folur në mënyrë shumë të keqe për ta.

Në këtë kuptim, tekstshkruesit që po e bëjnë bashkë qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në territoret tjera shqiptare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia ndaj Edi ramës dhe qeverisë së tij, dhe ata që po e propagandojnë të ashtuquajturin komb kosovar, po e ushqejnë njëri-tjetrin duke i bërë dëm çështjes kombëtare, përkatësisht duke i fryrë përçarjeve kombëtare shqiptare. Është kështu për faktin se të parët po përdorin argument qëndrimet e të dytëve, kurse të dytët po përdorin argument arrogancën dhe agresivitetin e të parëve, përakatësisht qëndrimin poshtërues që shprehin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës. Me fjalë të tjera tekstshkrues të tillë si Blendi Fevziu, i cili mundohet të shesë mend për historinë e marrëdhënieve ndërmjet shtetit shqiptar dhe Kosovës, dhe përgjithësisht ndaj shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar, dhe bie nga kritikues i Edi Ramës në mbrojtës arrogant të tij, apo një Ilir Babaramo që ka lënë pesë pyetjet për të bërë një pyetje idiote, të cilën me shumë sesa shqiptarëve të Kosovës duhet t’ia bëjë vetes dhe një kategorie shoqërore në shtetin shqiptar, pa trohën e respektit për veten dhe për çështjen për të cilën flet, përdorin argument propagandën e mbrapshtë të ndonjë idioti të Kosovës që na flet për kombin kosovar, për të ndërtuar alibinë për Edi Ramën dhe për sjelljen e tij politiko-diplomatike. Në anën tjetër, çohen idiotë të tillë si Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu që kurrë nuk u ka pre dhe nuk u pret sopata në një vend dhe shfrytëzojnë qëdrimet arrogante dhe injorante të të parëve për të lartësuar të ashtuquajturin komb kosovar, dhe madje edhe për t’ua kujtuar se në momentet më të vështira për popullin e Kosovës, të njëjtit kanë qenë tepër kundërkosovarë.

Në këtë mënyrë, të dyja palët po e ndihmojnë njëra – tjetrën në marrëzirat e tyre, pavarësisht se e vërteta është ndryshe nga që e thonë ata: as nuk ka mungesë dashurie te shqiptarët e Kosovës dhe të shqiptarëve në territoret shqiptare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavisë ndaj shtetit shqiptar, as nuk është e vërtetë se nuk e ndjejnë veten shqiptarë. (vijon)