Kur do të kthehet në Kosovë Tomor Morina?

30.07.2019 22:26:37

Ish-ushtari i UÇK-së Tomor Morina i cili është arrestuar në Maqedoninë e Veriut nga INTERPOL-i pas një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia po mbahet ende atje.

Shteti serb, ndërkohë ka kërkuar nga autoritetet maqedonase ekstradimin e tij në Serbi, por një gjë e tillë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thonë se nuk mund të ndodhë, shkruan lajmi.net.

Sot, këshilltari i ministrit të jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj tha se kthimi i tij në Kosovë do të ndodh shumë shpejt.

“Ka procedura në Maqedoninë e Veriut qe autoritetet e atjeshme duhet me i ndjek, dhe ne jemi duke komunikuar rregullisht dhe intenzivisht me Shkupin për të shpejtuar lirimin e ish-luftëtarit te lirisë, Tomor Morina”, shkroi Zyberaj.

Ndërkohë, burime të lajmi.net brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë konfirmuar se janë duke u kryer procedurat verifikuese të ish-luftëtarët të UÇK-së, Tomor Morina.

Ky burim i mirinformuar i ka thënë lajmi.net se janë duke u kryer verifikimet nëpër skanerët e INTERPOL-it dhe se së shpejti pritet që Tomor Morina të kthehet në Kosovë.

Po ashtu, ky burim ka konfirmuar se është e pamundshme që Tomor Morina të kthehet në Serbi dhe se për këtë kanë folur edhe me autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, procedurat për verifikimin e tij dhe nënshtrimin ndaj këtyre procedurave marrin kohë të caktuar për të cilën nuk janë të informuar as MPJ-ja.