Kur Gjuriq manipulon e “Koha” ia mban ison, shembulli i bashkëveprimit kundër Kosovës

16.12.2016 14:30:43

Nga Rexhep Kastrati

Pasi që ITU i ka ndarë kodin +383 Kosovës, Serbia po  e vazhdon propagdanën e saj për të fshehur të vërtetën për këtë kod dhe për faktin se licenca e përkohshme për operatorin serb i është lëshuar nga institucioni përkatës i Republikës së Kosovës, e jo i “krahinës jugore”, përaktësisht “Kosovo i Metohija”.

Tashmë kur të gjithë e kanë të qartë se për ITU nuk figuron kund “Kosovo i Metohija”, por vetëm “Kosovo”, pra, nuk ka fare lidhje ajo që thotë Gjuriq apo propagnda medietike serbe, me të vërtetën, dhe kur është bërë e qartë se pozicioni i saj ndaj statusit të Kosovës është i njëjtë si i BE-së dhe i NATO-s, dhe kur është bërë e qartë se asnjë lidhje nuk ka pozicioni që ITU ka ndaj statusit të Kosovës dhe ndaj Taiwanit, duket se është rritur temperatura në Serbi, prandaj, Gjuriq, ka rritur dozën e manipulimit me të vërtetën për konsum të brendshëm, por edhe për të provokuar shqiparët në kushtet kur situata politike në Kosovë është konfliktuale.

Mirëpo, Gjuriq tashmë e ka problem të manipulojë me të vërtetën, sepse ITU ka bërë publik Aneksin e Buletinit Operacional me shpjegime detajizuese për qëndrimin e saj ndaj statusit të Kosovës, dhe edhe opinioni ynë, edhe opinioni serb kanë mundësi ta shohin. Dhe është e qartë se qëndrimi i ITU-së është korrekt dhe në përputhje edhe me qëndrimin që kanë edhe institucione të tjera ndrëkombëtare si BE dhe NATO.

Në anën tjetër, çështja e licencës së operatorit të përkohshëm serb është një çështje tjetër që e rrëzon propagandën e Gjuriqit, sepse për dallim nga terminologjia që përdor për Kosovën, si “krahinë jugore”, apo edhe si “Kosovo dhe Metohija”, e vërteta është se kjo licencë nuk është lëshuar as nga Serbia, as nga “krahina jugore, dhe as nga “Kosova dhe Metohija”, por është dhënë nga Republika e Kosovës. Në këtë kuptim, Gjuriq nuk mund të manipulojë me statusin ligjor që do të ketë operatori i përkohshëm, pasi që në asnjë dokument të këtij operatori nuk do të ketë të shkruar “krahina jugore”, as “Kosovo dhe Metohija”, por do ta ketë të shkruar “Republika e Kosovës”. Përveç kësaj, me këtë licencë, Serbia ka pranuar se nuk ka kurrëfarë kompetence në Kosovë dhe nuk ka kurrfarë juridiksioni mbi Kosovën.

Edhe pse është kështu, një gazetë që del në gjuhën shqipe, por që shpreh kryesisht qëndrimet serbe për Kosovën, “Koha ditore”, përkatësisht kompania “Koha” i bën jehonë pikërisht propagandës së Gjuriqit dhe të medieve dhe portaleve të Serbisë.

Kjo kompani ka kohë që ka një qasje joprofesionale dhe në kundërshtim me të vërtetën për këtë çështje, dhe kryesisht në bazë të propagandës politike dhe medietike serbe, të cilën çdo kush që di serbisht apo anglisht mund ta gjejë në faqe të ndryshme të Serbisë.

Dhe është e turpshme se si “Koha ditore”, përkatësisht kompania “Koha” vazhdon avazin e saj të vjetër si gazetë e regjistruar në Serbi, më 1997, dhe pronë e një autonomisti që nuk e ka fshehur kurrë synimin për mbetjen e Kosovës nën Serbi, dhe që nuk e ka fare problem të shkojë në Beograd dhe të vjellë serbisht.

Është për keqardhje që në Kosovë vazhdon të ketë medie dhe portale që në mënyrë të hapur bëhen zëdhënëse të interesave të Serbisë në Kosovë, që shpërfaqin plotësisht qëndrime identike me të qeverisë së Serbisë dhe të medieve dhe portaleve të Serbisë, edhe pse në fakt, edhe vetë Serbia, në praktikë sillet ndryshe nga ajo që propagandon, ashtu siç është rasti edhe me kodin +383 dhe me licencën për operatorin e përkohshëm serb në Kosovës.

Për fund duhet thënë se edhe një herë po dëshmohet se qëllimet e Serbisë për të manipuluar opinionin dhe për të nxitur tensione politike brendashqiptare po pëcillen me besnikëri nga “Koha ditore”, përgjithësisht nga kompania “Koha” dhe portale dhe medie të ngjashme, dhe po i fryjnë tensioneve brendashqiptare për llogari të interesave të Serbisë.