Kurti tregon pse takimi me Thaçin zgjati pak dhe se a do të ketë takime tjera

06.01.2020 16:42:36

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar para mediave pas takimit konsultativ që ka zhvilluar me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

I pari i LVV-së, ka thënë se ky takim ishte konsultativ dhe pa efekte juridike.

Në këtë takim disa minutësh, e dëgjova presidentin që shprehu interesimin për formimin sa më të shpejt të Qeverisë. Por, gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të Kushtetutës kjo duhet të bëhet në një kërkesë me shkrim. Do ta diskutoj këtë në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe do ta dërgojmë me shkrim propozimin e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti para mediave.

Kurti po ashtu ka treguar se pse takimi ka zgjatur aq pak minuta, teksa ka thënë se mund të takohet prapë me Thaçin, por që do të jenë takime institucionale që nënkupton Kurti në pozitën e kryeministrit e Thaçi në pozitën e presidentit.

“Takimi ishte pak minuta për shkak se ishte konsultativ teknik dhe pa efekte juridike, ndoshta do të ketë takime tjera institucionale, por ato do të jenë të tjera”, ka pohuar ai.

Ndryshe, pas takimit presidenti Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se i ka dhënë Kurtit edhe 48 orë për nomiminin e kandidatit apo kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë.