Kush e dërgoi në burg grupin “Drenica 2” ?

23.12.2016 22:19:56

 

Ish-Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku dhe ish-Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku kanë hedhur akuza të rënda në drejtim Eulexit, për mënyrën se si është gjykuar në rastin “Drenica 2”.

Sipas tyre dhe avokatëve mbrojtës, që nga fillimi, paneli i gjyqtarëve të Eulexit ka bërë shkelje të rënda, duke emëruar në mënyrë të jashtëligjshme anëtarë të trupit gjykues.

Në një hulumtim të emisionit “Udhëve” në RTK, ata kanë thënë se në këtë proces verdikti ka qenë i vendosur qysh në fillim, duke mos i marrë në konsideratë fare provat e gjetura nga mbrojtja.

RTK ka publikuar dokumentin që vërteton se dëshmitari kryesor në “Drenica 2”, i njohur si “Dëshmitari A”, ka problem mendore.

Në këtë dokument thuhet se ai është diagnostifikuar me psikozë akute, në vitin 2003 nga neuropsikiatri Gani Halilaj. Telashe psiqike, Halilaj ka thënë në RTK se kanë pasur edhe anëtarë tjerë të kësaj familje, gjë e cila shton dyshime se kjo sëmundje ka ardhur nga trashëgimia.

Sipas mbrojtjes, Dëshmitari A ka shfaqur shenja të kësaj sëmundje edhe gjatë seancave duke e humbur kontrollin gjatë dëshmisë së tij.

Vec këtyre, mbrojtja e të akuzuarve ka përmendur edhe një varg tjera të shkeljeve procedurale, që sipas tyre Eulexi I ka bërë gjatë gjykimit.

Burime të RTK-së brenda Eulexit, njoftojnë se këto parregullsi i kanë vërejtur dhe pranuar si të tilla edhe vet zyrtarë të lartë në këtë mision.

Sido që të jetë, shkalla e parë e gjykimit dhe Gjykata e Apelit, ka shpallur fajtor të gjithë grupin Drenica 2, të cilët akuzohen se në vitin 1998 kanë keqtrajtuar civil shqiptarë në qendrën e paraburgimit në Likoc, e njohur si shtabi i përgjithshëm i UCK-së.